Trump urdhëron reduktimin e manovrave ushtarake SHBA-Kore e Jugut duke i cilësuar si sinjal armiqësor

Trump urdhëron reduktimin e manovrave ushtarake SHBA-Kore e Jugut duke i cilësuar si sinjal armiqësor

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar një reduktim të ndjeshëm të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke iu referuar marrëdhënies së tij shumë të mirë me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Trump sugjeroi gjithashtu se stërvitjet vjetore me forcat e Koresë së Jugut mund të anulohen plotësisht në të ardhmen.

”Unë nuk jam i kënaqur me faktin që Shtetet e Bashkuara, shumë kohë më parë, ranë dakord të marrin pjesë në stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

”Këto stërvitje jo vetëm që janë të kushtueshme, me pjesën më të madhe të kostove të paguara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si zakonisht, por dërgojnë një sinjal krejtësisht të papërshtatshëm dhe armiqësor ndaj një vendi që, për sa kohë Donald J. Trump ka qenë president, ka qenë jokërcënues dhe respektues”, shtoi ai.

”Prandaj, dhe bazuar në faktin se është tepër vonë për t’i anuluar, kam udhëzuar sekretarin e Luftës, Pete Hegseth, që të reduktojë ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake!”, deklaroi Trump.

Njoftimi i Trump duket se e vendos në një pozitë të vështirë aleatin e ngushtë, Korenë e Jugut, e cila, njësoj si vendet anëtare të NATO-s në Evropë, mbështetet te mbrojtja ushtarake e SHBA-së.

Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara zhvillojnë çdo vit stërvitje të përbashkëta, me synim forcimin e kapaciteteve të tyre të mbrojtjes dhe gatishmërisë ushtarake.

Stërvitja e fundit nisi të hënën dhe përfshin mijëra trupa nga të dyja vendet. /atsh/

Share This