
Zelensky për ‘The Guardian’: Rusia po humbet 30 mijë ushtarë çdo muaj – Ukraina në fazën më të favorshme të luftës, por përballja mbetet e ashpër
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë për The Guardian, ka vlerësuar se situata në front është më e favorshme për Kievin sesa ka qenë në dy vitet e gjysmë të fundit, duke theksuar se Rusia po humbet gradualisht iniciativën.
Në një intervistë për The Guardian, ai e përshkroi gjendjen aktuale si më premtuese që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë.
“Nuk mund të themi se Rusia po e humbet këtë luftë. Por mund të themi se ata po e humbasin iniciativën çdo ditë, ditë pas dite,” tha Zelensky, duke nënvizuar se përparimi i fuqishëm rus në lindje është pothuajse ndalur.
Ai përmendi sulmet e fundit me dronë ukrainas që kanë goditur objektiva strategjikë pranë Shën Petersburgut, duke shkaktuar flakë në terminalet e naftës, si dhe dëmtimet e rënda në Krime.

“Një rrugë kyçe furnizimi është e mbushur me kamionë dhe cisterna që digjen. Krimea po përjeton mungesa të mëdha karburanti,” shtoi ai.
Sipas presidentit ukrainas, humbjet e Rusisë janë të mëdha, “Kremlini po humbet më shumë se 30 mijë ushtarë në muaj, me 23-24 mijë të vrarë dhe pjesën tjetër të plagosur rëndësisht. Ky është një numër shumë i madh. Do të thotë që ata nuk po e fitojnë luftën.”
Megjithatë, Zelensky pranoi se Ukraina po përballet me pasoja të rënda nga sulmet ajrore.
“Një sulm i fundit përfshinte 73 raketa dhe 656 dronë. Tetëmbëdhjetë persona u vranë në Kiev dhe Dnipro, përfshirë një djalë trevjeçar.”
Ai akuzoi Rusinë se përdor municione thërrmuese në zonat e banuara për të terrorizuar civilët.
Në lidhje me diplomacinë, Zelensky zbuloi se i kishte propozuar Vladimir Putinit një takim ballë për ballë për të diskutuar përfundimin e konfliktit, por Kremlini e refuzoi “Arsyeja pse ai gënjen nuk ka rëndësi. Ai ka gënjyer që nga fillimi i luftës.”
Ai shtoi se Rusia po humbet ndikim ndërkombëtar “Ata po humbasin ndikimin në vende të ndryshme. Janë të izoluar brenda Evropës dhe gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara. Pra, ata janë vetëm.”
Duke komentuar marrëdhëniet me SHBA-në, Zelensky tha “Gjithmonë i kam thënë presidentit Trump se Putini po gënjen. Ai po luan lojëra me ju dhe me Shtëpinë e Bardhë.”
Megjithatë, ai shprehu mirënjohje për mbështetjen amerikane, edhe pse vuri re se vëmendja e Uashingtonit është zhvendosur drejt Lindjes së Mesme.
Një nga shqetësimet kryesore të Kievit mbetet mbrojtja ajrore. Zelensky theksoi “Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë sisteme Patriot.
Ato janë të vetmet që mund të ndalojnë raketat balistike ruse.
” Ai u bëri thirrje vendeve evropiane të shtojnë mbështetjen ushtarake dhe financiare, duke ofruar përvojën e Ukrainës në luftën me dronë si ndihmë për aleatët.
Duke folur për të ardhmen e konfliktit, Zelensky tha “Fitorja në këtë luftë do të vijë kur shoqëria ruse të kuptojë se lufta është e tmerrshme dhe se është tragjedi edhe për vetë rusët.”
Ai shtoi se objektivat e Ukrainës mbeten goditjet ndaj infrastrukturës kritike në Krime dhe territoret e pushtuara, për të dobësuar aftësinë e Rusisë për të militarizuar rajonin. “Ka të bëjë me infrastrukturën kritike. Ne po punojmë për këtë.”
Në fund, Zelensky e përshkroi fitoren jo vetëm si një rezultat ushtarak, por si një ndërgjegjësim shoqëror brenda vetë Rusisë “Fitorja është kur shoqëria ruse e pranon se lufta është një tragjedi jo për dikë tjetër, por për veten e tyre.”

