Chuck Schumer, aktualisht lider i pakicës në Senat, i cili synon të udhëheqë shumicën demokrate në Kongresin e ardhshëm, ka akuzuar Huangun të martën se ka dërguar “mikroçipa jashtëzakonisht të avancuar në Kinë” dhe se ka shkelur ligjet amerikane për kontrollin e eksporteve.

Schumer ka thënë se ky veprim “është i barasvlershëm me shitjen e motorëve të raketave sovjetikëve gjatë garës hapësinore”.

Por, në një intervistë për gazetën New York Post, presidenti amerikan, i cili ka marrë meritat për bindjen e bordit të Nvidia-s që ta rikthente Huangun në detyrë, e ka pranuar se mund të ndërhynte sërish për ta ndihmuar drejtorin ekzekutiv, i cili ndodhet nën presion.

“Është gjithmonë një mundësi, besoj, por nuk mendoj se do të jetë e nevojshme”, ka thënë presidenti për tabloidin në pronësi të mbështetësit të tij, Rupert Murdoch.

I pyetur për dëshminë e ardhshme të Huangut para një seance dëgjimore të komitetit bankar të Senatit amerikan, lidhur me kontrollet e eksporteve, Trumpi ka thënë se nuk sheh asnjë arsye që drejtori ekzekutiv, i cili ka pranuar një lidhje jashtëmartesore me një grua kineze të dyshuar për lidhje me inteligjencën kineze, të thirret në Amendamentin e Pestë të Kushtetutës për të shmangur përgjigjen ndaj pyetjeve që mund ta inkriminojnë.

“Nuk mendoj se ai duhet të thirret në Amendamentin e Pestë. Mendoj se është një histori interesante për njerëzit”, ka thënë Trumpi. “Dua që ai thjesht të tregojë të vërtetën. Natyrisht, avokatët e tij do të duhet ta këshillojnë, por unë gjithmonë e kam konsideruar një person plotësisht të ndershëm dhe shumë të zgjuar”.

Bordi i Nvidia-s e ka rikthyer Huangun në detyrë të hënën, pasi Donald Trumpi ka thënë se kishte ndërhyrë në favor të tij, duke e siguruar udhëheqjen e kompanisë se ai nuk përbënte rrezik për sigurinë kombëtare, pavarësisht pikëpyetjeve rreth marrëdhënies së tij me Alice Huang, një drejtuese e sektorit të teknologjisë që nuk ka lidhje familjare me të.

Alice Huang është akuzuar se vepron në interes të Kinës dhe se ka ndihmuar në dërgimin e mikroçipave të avancuar në Pekin përmes kompanisë së saj të qendrave të të dhënave, Megaspeed.