
BE-ja kërkon përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe zbatimin e marrëveshjeve
Bashkimi Evropian ka rikonfirmuar perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa ka theksuar se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dyja palët në rrugën e tyre drejt Evropës.
Në Deklaratën e Brukselit, të miratuar pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, është rikonfirmuar mbështetja e plotë për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun Beograd–Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë dhe mbështetet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së. Ne i inkurajojmë të dy partnerët që të shfrytëzojnë momentumin aktual politik për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në Dialog dhe për të bërë progres konkret, pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve, i shoqëruar me përparim të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në deklaratë.
BE-ja ka theksuar se mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv, përparimi i matshëm dhe rezultatet konkrete në normalizimin e marrëdhënieve.
Në deklaratë është përsëritur angazhimi i plotë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Zgjerimi është një mundësi realiste, e cila duhet të shfrytëzohet”, thuhet në deklaratë.
BE-ja u ka bërë thirrje partnerëve të rajonit që të përshpejtojnë reformat dhe të përmbushin angazhimet e nevojshme për të përparuar drejt anëtarësimit.
Gjithashtu, është theksuar nevoja për zgjidhjen e të gjitha rasteve të mbetura të personave të zhdukur dhe trajtimin e çështjeve të pazgjidhura që lidhen me krimet e luftës, duke garantuar llogaridhënie dhe drejtësi.
Në deklaratë është mirëpritur edhe përparimi në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm të BE-së, përfshirë iniciativën “Roam Like at Home”, pjesëmarrjen në SEPA dhe sistemet rajonale të pagesave të menjëhershme.
Në fund të dokumentit bëhet e ditur se Serbia nuk është përafruar me Deklaratën e Brukselit. /RTK/

