
Roma ndal PSG-në në Paris, dy penallti vendosin fatin e ndeshjes, të gjitha rezultatet tjera
Roma ka arritur të marrë një barazim të vlefshëm 2-2 në udhëtim ndaj Paris Saint-Germainit, në një përballje dramatike në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Me këtë rezultat, skuadra italiane i ka dhënë fund serisë së fitoreve të plota të kampionëve në fuqi të Evropës në këtë edicion të garës.
Roma e nisi në mënyrë të shkëlqyer takimin, duke kaluar në epërsi që në minutën e pestë. Mario Hermoso ishte realizuesi i golit, pas një aksioni të bukur të ndërtuar nga Matias Soulé.
Megjithatë, PSG-ja arriti të rikthehej në lojë në minutën e 31-të, kur Illia Zabarnyi shënoi me kokë pas një goditjeje nga këndi, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat vazhduan të kërkonin golin e epërsisë, ndërsa trajnerët u besuan edhe futbollistëve nga banka rezervë.
Në minutën e 65-të, Ousmane Dembélé u inkuadrua në lojë dhe shumë shpejt pati ndikim në rezultat. Francezi fitoi një penallti, të cilën e shndërroi në gol në minutën e 68-të, duke kaluar PSG-në në epërsi prej 2-1.
Por Roma nuk u dorëzua. Pas një ndërhyrjeje me dorë në zonën e PSG-së, gjyqtari akordoi penallti për mysafirët pas konsultimit me sistemin VAR.
Përgjegjësinë e mori Donyell Malen, i cili në minutën e 75-të realizoi saktë nga pika e bardhë, duke vendosur rezultatin përfundimtar 2-2.
Në minutat e fundit, të dyja skuadrat patën mundësi për të shënuar, por portieri Mile Svilar me ndërhyrjet e tij dhe mungesa e saktësisë së sulmuesve bënë që rezultati të mos ndryshonte.
Roma tani ka pesë pikë në fazën e ligës, me një fitore, dy barazime dhe dy humbje.
Ndërkohë, PSG-së i ka dhënë fund serisë prej 12 fitoresh radhazi në të gjitha garat, por kampionët francezë vazhdojnë të jenë 15 ndeshje pa humbje në Ligën e Kampionëve. /Rekordi.net


