Trump kërcënon Iranin me kundërpërgjigje të ashpër ushtarake për minat në Ngushticën e Hormuzit

Trump kërcënon Iranin me kundërpërgjigje të ashpër ushtarake për minat në Ngushticën e Hormuzit

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Iranin për pasoja të rënda ushtarake, pas raportimeve se Teherani mund të ketë vendosur mina detare në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës.

“Nëse minat janë vendosur dhe nuk hiqen menjëherë, pasojat ushtarake për Iranin do të jenë në një nivel që nuk është parë kurrë më parë”, tha Trump në një postim në platformën e tij “Truth Social”.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane kishin shkatërruar disa mjete detare iraniane pranë ngushticës, përfshirë 16 anije të vogla që dyshohet se përdoreshin për vendosjen e minave.

Sipas raportimeve të CNN, Irani mund të ketë vendosur rreth 12 mina detare në këtë zonë strategjike.

Burime të paidentifikuara thonë se Irani ende ka në dispozicion shumicën e mjeteve të tij të vogla detare, të cilat mund të përdoren për të vendosur qindra mina në rrugët e transportit detar.

Edhe CBS News ka raportuar për plane të mundshme të Iranit për të minuar zonën.

Ngushtica e Hormuzit, e gjerë rreth 55 kilometra dhe e vendosur mes Iranit dhe Omanit, është një nga korridoret më të rëndësishme në botë për eksportin e naftës.

Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se forcat detare iraniane mund ta bllokojnë ose ta minojnë këtë rrugë strategjike në rast përshkallëzimi të konfliktit. /atsh/

Share This