
Trump: Do të kem nderin ta marr Kubën, një shtet i dështuar
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se beson se do të ketë nderin për të marrë Kubën.
“Besoj se do të kem nderin të marr Kubën. Kjo do të ishte mirë. Është një nder i madh”, tha presidenti Trump gjatë nënshkrimit të një urdhri ekzekutiv në Shtëpinë e Bardhë.
Prej disa javësh, Trump ka përsëritur se Kuba ndodhet në prag kolapsi.
“Nëse e çliroj, apo e marr, mendoj se mund të bëj çfarë të dua me të”, shtoi ai, duke e cilësuar vendin si “një komb shumë të dobët”.
Sipas tij, Kuba është “një shtet i dështuar”, duke theksuar se vendi nuk ka para, naftë apo burime të tjera të rëndësishme.
Nën administratën Trump, Uashingtoni ka rritur presionin ekonomik ndaj Kubës, me synim ndërprerjen e fluksit të valutës së huaj dhe furnizimeve me naftë drejt ishullit të Karaibeve.
Presioni u shtua edhe më tej pas një operacioni në janar, kur autoritetet amerikane arrestuan presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, në Karakas dhe e transferuan në SHBA.
Ky zhvillim e privoi Havanën nga një prej aleatëve të saj më të rëndësishëm, që për vite me radhë e kishte mbështetur, veçanërisht me furnizime me naftë, në kushtet e embargos tregtare amerikane që zgjat prej dekadash.
Aktualisht, Kuba po përballet me një nga krizat më të rënda ekonomike që nga revolucioni i vitit 1959, i udhëhequr nga Fidel Castro. /atsh/


