E quajti ‘‘impulsiv’’, Avdyli-Gërvalles: GUXO drejt zhdukjes, kur tentove të hyje me forcë në takim të LDK’së, Osmani u solidarizua

E quajti ‘‘impulsiv’’, Avdyli-Gërvalles: GUXO drejt zhdukjes, kur tentove të hyje me forcë në takim të LDK’së, Osmani u solidarizua

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka reaguar publikisht ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, duke sqaruar pozicionin e tij pas dorëheqjes nga funksionet në partinë Guxo.

Përmes një sqarimi publik, Avdyli ka theksuar se dorëheqja e tij nga funksionet partiake në Guxo nuk paraqet pengesë për të qenë pjesë e grupit parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje deri në përfundim të mandatit.

Ai ka theksuar se në Kuvendin e Kosovës ekziston vetëm grupi parlamentar i Vetëvendosjes, dhe jo një grup i përbashkët VV-Guxo, duke shtuar se edhe deputetë të tjerë nuk kanë qenë anëtarë formalë të partive, por megjithatë janë pjesë e grupit parlamentar.

Avdyli ka rikujtuar edhe përvojat politike nga viti 2020, kur bashkë me presidenten Vjosa Osmani kishin votuar kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti 1 dhe nuk kishin votuar Qeverinë Hoti, por kishin vazhduar të qëndronin në grupin parlamentar të LDK-së deri në zgjedhjet e vitit 2021.

Në reagimin e tij, ai ka folur edhe për krijimin e partisë Guxo, duke theksuar se ajo lindi si projekt politik nga përplasjet e kohës dhe se, sipas tij, aktualisht kjo parti po përballet me dobësim të strukturave të brendshme.

Deputeti ka ngritur shqetësime për, siç ka thënë, injorimin e strukturave të Guxo-s, mbylljen e zyrave dhe largimin e aktivistëve, duke paralajmëruar se projekti politik po shkon drejt shuarjes.

Ai ka shtuar se, nëse do të njoftohej nga grupi parlamentar se është i padëshiruar në takime, nuk do të tentonte të merrte pjesë me forcë, por ka shprehur bindjen se një situatë e tillë nuk do të ndodhë, raporton GE.

Në fund, Avdyli ka falënderuar gazetarët për interesimin, por ka kërkuar mirëkuptim për mospjesëmarrje në intervista dhe debate për një periudhë kohore.

Share This