Tërmetet në Venezuelë, rritet numri i viktimave në 589 persona, mijëra të plagosur

Tërmetet në Venezuelë, rritet numri i viktimave në 589 persona, mijëra të plagosur

Bilanci i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën është rritur ndjeshëm, duke arritur në 589 të vdekur dhe 2,980 të plagosur, sipas presidentes në detyrë, Delcy Rodríguez.

Dy tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 goditën vendin të mërkurën në mbrëmje, vetëm një minutë larg njëri-tjetrit. Tërmeti i dytë ishte më i forti që ka goditur Venezuelën që nga viti 1900.

Ekipet lokale të shpëtimit kanë vazhduar kërkimet gjatë gjithë natës në ndërtesat e shembura në Karakas dhe në shtetin La Guaira, ku shumë persona besohet se ndodhen ende nën rrënoja. Më herët, një grua u nxor e gjallë nga një ndërtesë e shembur, duke sjellë shpresë për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë.

Autoritetet shëndetësore raportojnë se dy spitalet kryesore të zonës janë plotësisht të mbingarkuara dhe përballen me mungesë kritike të furnizimeve mjekësore.

Ndërkohë, ndihma ndërkombëtare ka nisur të mbërrijë në Venezuelë. Një ekip holandez prej 65 punonjësish shpëtimi dhe tetë qen kërkimi është nisur nga baza ajrore e Eindhoven. Gjithashtu, ekipe shpëtimi nga Zvicra, Meksika dhe El Salvadori kanë mbërritur për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit.

Zvicra ka dërguar 80 punonjës shpëtimi, tetë qen kërkimi dhe 18 tonë furnizime humanitare, ndërsa Komanda Jugore e SHBA-së ka njoftuar se një zyrtar i lartë ushtarak ndodhet në Venezuelë për të koordinuar mbështetjen amerikane.

Shefi humanitar i OKB-së, Tom Fletcher, bëri thirrje për një përgjigje të koordinuar ndërkombëtare, duke deklaruar se “kjo fatkeqësi ka nevojë për një përgjigje globale” dhe se ndihma për Venezuelën është tashmë në rrugë.

Në mesin e viktimave dhe të personave të zhdukur ndodhen edhe shtetas të huaj. Spanja ka konfirmuar tre qytetarë të vdekur dhe 99 të zhdukur. Gjithashtu janë konfirmuar viktima nga Brazili, Kina, Italia dhe Portugalia, ndërsa autoritetet vazhdojnë të vlerësojnë numrin e të prekurve nga komunitetet e huaja në vend.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje, ndërsa autoritetet thonw se numri i viktimave mund të rritet në orët dhe ditët në vijim. /rtsh/

Share This