
Wall Street Journal: SHBA pritet të dislokojë 3000 trupa elitare të Divizionit 82 Ajror në Lindjen e Mesme
Pentagoni pritet të lëshojë një urdhër zyrtar brenda orëve të ardhshme për vendosjen e afërsisht 3,000 ushtarëve amerikanë nga Divizioni i 82-të Ajror, një nga njësitë elitare të ushtrisë, në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve të Wall Street Journal, ky dislokim synon të mbështesë operacionet kundër Iranit, megjithëse zyrtarët amerikanë theksojnë se ende nuk është marrë një vendim për vendosjen e forcave brenda territorit iranian.
Burime të Reuters konfirmojnë se përqendrimi i trupave në rajon do të ndodhë paralelisht me përpjekjet e administratës së Presidentit Donald Trump për të hapur bisedime me Iranin. Ushtarët aktualisht janë të stacionuar në Fort Bragg, Karolina e Veriut, dhe vendosja e tyre do të shtohet mbi praninë ekzistuese të mijëra marinsave dhe marinarëve në bordin e USS Boxer, së bashku me Njësinë Ekspedituese të Marinës dhe anijet luftarake shoqëruese.
Pentagoni ia ka referuar çështjen Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk ka dhënë ende një koment zyrtar.
Vendosja e Divizionit të 82-të Ajror shihet si një hap që i ofron Presidentit Trump më shumë opsione strategjike në rajon. /rtsh/

