Paga mesatare në Shqipëri arrin 92 mijë lekë, rritje 9.8% në një vit

Paga mesatare në Shqipëri arrin 92 mijë lekë, rritje 9.8% në një vit

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri arriti në 92.150 lekë në tremujorin e dytë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 9.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave (INSTAT), aktivitetet ekonomike me pagë mesatare mbi nivelin kombëtar vijojnë të jenë “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit”, me 187.267 lekë, si dhe “Informacioni dhe komunikacioni”, me 143.528 lekë.

Rritjen më të lartë të pagës mesatare gjatë periudhës e ka shënuar aktiviteti “Ndërtim”, me 22.1%, ndërsa rritja më e ulët është regjistruar në aktivitetin “Arte, argëtim dhe çlodhje, si dhe aktivitete të tjera shërbimi”, me 6.4%.

Sa i përket profesioneve, grupet me pagë mesatare më të lartë se mesatarja kombëtare janë “Menaxherë, ligjvënës, drejtorë ekzekutivë”, me 141.168 lekë, dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, me 119.152 lekë.

Rritjen më të madhe të pagës mesatare sipas grupeve profesionale e kanë shënuar “Zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhura me to”, me 16%, të ndjekura nga “Punëtorët (profesionet elementare)”, me 15.1%.

Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu se shpërndarja e të punësuarve sipas nivelit të pagës vijon të jetë e përqendruar në skajet e intervaleve të pagave.

Në tremujorin e dytë të vitit 2026, punonjësit me pagë minimale përbënin 25.8% të të punësuarve me pagë, ndërsa kategoria e pagave të larta, mbi 120.000 lekë, arriti në 17.1%, duke shënuar rritje të mëtejshme.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit, INSTAT vëren një rritje të numrit të të punësuarve me paga të mesme dhe të larta. Kategoria nga 60.001 deri në 120.000 lekë zuri përqindjen më të madhe të shpërndarjes së të punësuarve sipas nivelit të pagës. /atsh/

Share This