
Kapet në Morinë me drogë, arrestohet 33-vjeçari nga Prizreni
Policia e Shtetit ka njoftuar se në Pikën Kufitare të Morinës është arrestuar një shtetas nga Prizren, i dyshuar për tentativë të trafikimit të lëndëve narkotike në Shqipëri.
Sipas policisë, në pranga ka rënë H.M., 33 vjeç, i cili u kap gjatë kontrolleve të detajuara në hyrje të territorit shqiptar. Gjatë kontrollit fizik në vijën e dytë, atij iu gjetën 101 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa.
Operacioni është realizuar nga Policia Kufitare e Morinës në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në kuadër të kontrolleve të shtuara dhe analizës së riskut për parandalimin e trafikut të drogës.
Policia bëri të ditur se lënda narkotike dhe automjeti janë sekuestruar, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Kukësit për veprime të mëtejshme.


