
Energjia dhe karburantet shtrenjtojnë jetesën në Gjermani, inflacioni pranë 3%
Lufta me Iranin ka rritur çmimet e energjisë dhe, si pasojë, ka shtrenjtuar jetesën në Gjermani.
Çmimet që paguajnë konsumatorët u rritën me 2,9% në gusht, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, konfirmoi sot Zyra Federale e Statistikave.
Kjo është rritja më e madhe e çmimeve në Gjermani që nga dhjetori i vitit 2023, kur inflacioni ishte 3,7%.
Ekonomistët presin që çmimet të vazhdojnë të jenë të larta edhe në muajt e ardhshëm.
Instituti “Ifo” parashikon një inflacion mesatar prej 2,8% për vitin 2026 dhe rreth 3% në vitin 2027.
Energjia është faktori kryesor pas rritjes së çmimeve.
Në gusht, karburantet dhe ngrohja kushtuan mesatarisht 10,5% më shumë se një vit më parë.
Vetëm karburantet u shtrenjtuan me 27,7%, ndërsa karburanti për ngrohje me gati 50%.
Çmimet e larta të energjisë, mund të sjellin rritje edhe në produkte të tjera, pasi transporti, ruajtja dhe ftohja e ushqimeve bëhen më të shtrenjta.
Kompanitë mund t’ua kalojnë këto kosto shtesë konsumatorëve, përmes çmimeve më të larta.
Një lajm pozitiv është se çmimet e ushqimeve pothuajse nuk shënuan rritje, në gusht ishin vetëm 0,1% më të larta se një vit më parë.
Nga korriku në gusht, çmimet e konsumatorit në Gjermani u rritën me 0,2%.
Rritja e inflacionit, do të thotë fuqi blerëse më e ulët, me të njëjtën shumë parash, njerëzit mund të blejnë më pak.
Për këtë arsye, konsumatorët po tregohen më të kujdesshëm me shpenzimet e mëdha, duke reduktuar konsumin privat. /atsh/

