
Rama: Për një nënshkrim të Hekuran Muratit, “Pastrimi” humbi 74.1 mln. € të qeverisë gjermane
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka akuzuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, se ia ka humbur komunës së Prishtinës, përkatësisht kompanisë “Pastrimi”, 74.1 milionë euro financim të qeverisë gjermane.
Në një konferencë për media, ai njoftoi se të premten do të hidhet për votim në Asamblenë Komunale themelimi i ndërmarrjes së re komunale të pastrimit, raporton Klankosova.tv.
“Prishtina, siç e keni parë, ka humbur 74.1 milionë euro financim nga qeveria gjermane, vetëm për një nënshkrim të Hekuran Muratit. Dmth, ndërmarrja ‘Pastrimi’ i ka humbur 74.1 milionë euro sepse Hekuran Murati nuk e ka nënshkru. Të ndodhur përball këtij absurditeti dhe gjendjes alarmante me mbeturina, ne kemi vendosur që ta krijojmë ndërmarrjen e re komunale të pastrimit, siç e kanë komunat tjera, si Fushë-Kosova e Obiliqi”, tha Rama. /KK/

