‘Gazzetta dello Sport’ paralajmëron Romën: Kujdes nga ‘Pirati’

‘Gazzetta dello Sport’ paralajmëron Romën: Kujdes nga ‘Pirati’

Vedat Muriqi pritet të jetë një nga protagonistët kryesorë të Fenerbahçes në përballjen e sotme ndaj Romës, në një sfidë të rëndësishme për skuadrën turke.

Sulmuesi kosovar nuk arriti të lërë gjurmë gjatë aventurës së tij të parë në Serie A me Lazion, por karriera e tij mori një tjetër drejtim në Spanjë, ku shkëlqeu me Mallorca-n.

Tashmë, Muriqi është rikthyer te Fenerbahçe dhe po tregon sërish formën që kishte në sezonin 2019/20, kur shënoi 17 gola dhe regjistroi shtatë asistime në 37 paraqitje.

Forma e tij në atë periudhë bëri që Lazio të investonte rreth 20 milionë euro për transferimin e tij. Megjithatë, kosovari nuk arriti ta justifikonte këtë shumë në Itali, duke shënuar vetëm dy gola në 49 ndeshje të Serie A-së, të dy kundër Atalantas.

Pas aventurës në Itali, Muriqi rilindi në La Liga me Mallorca-n, ku u shndërrua në një prej sulmuesve më të spikatur. Ai e mbylli sezonin si golashënuesi i dytë më i mirë i kampionatit, pas Kylian Mbappes.

Paraqitjet e tij bindën Fenerbahçen që ta rikthente në Stamboll gjatë kësaj vere. Klubi turk pagoi rreth 15 milionë euro, ndërsa Lazio përfitoi rreth 7 milionë euro nga marrëveshja, pasi kishte ruajtur 45 për qind të të drejtave mbi kartonin e lojtarit.

Muriqi tashmë ka shënuar tri gola në shtatë ndeshje me Fenerbahçen, ndërsa një prej tyre ishte vendimtar ndaj Lyonit dhe ndihmoi skuadrën turke të siguronte kualifikimin në fazën e ligës.

Për rëndësinë e kosovarit ka shkruar edhe prestigjiozja italiane “Gazzetta dello Sport”, e cila e konsideron atë një kërcënim serioz për Romën.

“Vedat Muriqi është shumë i rëndësishëm për skuadrën turke, aq sa ka luksin të mbajë në stol një sulmues si Romelu Lukaku. Mjafton ky fakt për të kuptuar se Roma duhet të bëjë shumë kujdes”, shkruan gazeta italiane.

“Kosovari shënoi vetëm dy gola në 49 ndeshje dhe që të dy ndaj Atalantës së Gian Piero Gasperinit. Muriqi në sfidën e Championsit është i rrezikshëm dhe duhet trajtuar si i tillë”, thuhet më tej në shkrim.

Për Fenerbahçen kjo ndeshje ka rëndësi të veçantë, pasi klubi turk është rikthyer në Ligën e Kampionëve pas një mungese prej 18 vitesh. Në këtë mision, Muriqi shihet si një prej armëve kryesore të skuadrës.

Share This