
Mbrojtja: Nuk ka prova që Thaçi ka ndërhyrë te dëshmitarët
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, mbrojtësja e Hashim Thaçit, avokatja Sophie Menegon kërkoi që ndaj klientit të saj të merret aktgjykim lirues
Në fjalën përfundimtare, Menegon ka argumentuar se vendimi i trupit gjykues duhet të bazohet në prova dhe jo në spekulime. Ajo ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për dënimin e Thaçit me gjashtë vjet burgim, duke thënë se bisedat e zhvilluara në qendrën e paraburgimit nuk kanë pasur ndikim në botën reale.
“Prokuroria iu kërkon juve që të dërgoni në burg z. Thaçi për 6 vjet për biseda që janë bërë në qendrën e paraburgimit të cilat nuk kanë pasur asnjë ndikim në botën reale. Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime edhe që të jetë lirimi nga të gjitha akuzat”, tha Menegon.
Sipas saj, dëshmitarët e përmendur në aktakuzë, përfshirë Mustafa, Bislim Zyrapin dhe dëshmitarin 4, gjatë marrjes në pyetje nga ZPS-ja kanë deklaruar se nuk ka ndërhyrë askush tek ata.
Menegon ka thënë gjithashtu se një pjesë e informacionit që pretendohet se është përmendur nga Thaçi gjatë vizitave në paraburgim ishte publike ose e njohur nga vizitorët e tij.
“Në praktikë nuk ka asnjë viktimë në këtë çështje”, tha ajo.
Avokatja ka kritikuar edhe masat e ndërmarra ndaj Thaçit gjatë qëndrimit të tij në paraburgim, duke përmendur incizimet e bisedave të tij, përfshirë bisedat telefonike dhe ato të privilegjuara me familjarët.
“ZPS-ja e bën këtë për të justifikuar masat tejet ndërhyrëse që janë marrë ndaj Thaçit për muaj të tërë. Incizimet e bisedave të tij, bisedave telefonike, bisedat e privilegjuara përfshirë edhe ato me bashkëshorten dhe djalin e tij”, tha Menegon. /rtk/

