
Një tentim-vrasje, raste dhune dhe armë të sekuestruara gjatë 24-orëshit
Policia e Kosovës ka publikuar raportin 24-orësh, ku janë evidentuar disa raste kriminale në rajone të ndryshme të vendit, përfshirë një tentim-vrasje në Prishtinë, raste dhune në familje, sulme fizike dhe armëmbajtje pa leje.
Në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, të shtunën rreth orës 21:20, një person ka marrë trajtim mjekësor pasi dyshohet se është sulmuar me thikë nga një person i panjohur. Sipas Policisë, viktima ka pësuar dy plagë në shpinë dhe lëndime në organe vitale. Rasti është iniciuar si “vrasje në tentativë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e të dyshuarit.
Në Obiliq, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka shtënë me armë gjatë një ahengu familjar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 27 gëzhoja të pistoletës me gaz, ndërsa nga i dyshuari është sekuestruar arma. Pas intervistimit, ai është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.
Policia ka raportuar edhe për disa raste dhune fizike. Në Prishtinë, pas një mosmarrëveshjeje në trafik, një person është arrestuar pasi është përleshur me një tjetër, ndërsa në një rast tjetër janë arrestuar dy persona për një sulm fizik të ndodhur më herët.
Një rast i rëndë është raportuar në Fushë Kosovë, ku një person ka humbur jetën pasi dyshohet se gjatë ngrënies së ushqimit i ka ngecur një copë në fyt, duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje. Me urdhër të prokurorit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Në Ferizaj janë raportuar dy raste të dhunës në familje. Në njërin rast, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij, ndërsa në rastin tjetër dy gra, nënë e bijë, janë dërguar në strehimore pas dyshimeve për sulm nga familjarët. Të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.
Raste të dhunës dhe armëmbajtjes janë regjistruar edhe në rajonet tjera. Në Gjakovë, katër persona janë arrestuar pas një përleshjeje fizike, ku gjatë kontrollit të një veture është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator me 15 fishekë. Në Gjilan, gjatë kontrollit në një shtëpi është gjetur një pistoletë Zoraki me një fishek.
Policia ka njoftuar gjithashtu për arrestime lidhur me vjedhje të rënda. Në Fushë Kosovë dhe Mitrovicë të Veriut janë arrestuar persona të dyshuar për raste vjedhjesh, ndërsa një veturë e raportuar e vjedhur është gjetur në Gjilan pas hetimeve policore.
Në Mitrovicën e Jugut është arrestuar një person nën dyshimin për dhunë psikike ndaj familjarëve të tij, ndërsa në Aeroportin “Adem Jashari” është arrestuar një person i kërkuar nga gjykata për vuajtje të dënimit, raporton rtk.
Policia ka raportuar edhe për një aksident trafiku në Mitrovicën e Veriut, ku një shofer ka humbur kontrollin mbi veturën për shkak të shpejtësisë së papërshtatur. Nga aksidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe nuk ka persona të lënduar.

