
Abdixhiku dhe Prattipati flasin për situatën politike në vend
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit të LDK-së, në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, me fokus të veçantë te situata e fundit në Kuvend dhe procesi i konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Kryetari Abdixhiku e njoftoi znj. Prattipati për qëndrimet e LDK-së lidhur me situatën aktuale politike, duke ritheksuar përkushtimin e LDK-së për mbrojtjen e interesit të Republikës së Kosovës, funksionalitetin e institucioneve dhe stabilitetin institucional”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për rëndësinë e tejkalimit të situatës aktuale politike dhe krijimit të kushteve për funksionim të qëndrueshëm e demokratik të institucioneve.
Në fund, Abdixhiku ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës, duke vlerësuar partneritetin strategjik mes dy vendeve dhe rëndësinë e ruajtjes e thellimit të tij.

