
Vdes i paraburgosuri në QKUK, ishte dërguar nga Burgu i Sigurisë së Lartë
Një i paraburgosur ka ndërruar jetë mbrëmë në Klinikën e Emergjencës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Lajmi është bërë i ditur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, të cilët kanë njoftuar se i paraburgosuri me inicialet K.K. ka vdekur rreth orës 23:20.
Sipas njoftimit, K.K. po mbahej në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe gjatë ditës së djeshme kishte shfaqur çrregullime gastrointestinale dhe gjendje të theksuar molisjeje.
Ai ishte trajtuar gjatë ditës nga personeli shëndetësor, por gjendja e tij nuk kishte shënuar përmirësim. Për shkak të nevojës për konsultim specialistik, mjeku kujdestar kishte kërkuar dërgimin e tij për trajtim dhe vlerësim të mëtejmë.
Fillimisht, i paraburgosuri ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, ndërsa rreth orës 18:00 ishte transferuar në QKUK.
“Pas pranimit në QKUK, kanë filluar menjëherë procedurat diagnostikuese dhe trajtimi i tij nga stafi mjekësor. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe trajtimit të ofruar, gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim, raporton rtk.
Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat përkatëse ligjore, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë dhe verifikojë shkakun e vdekjes.

