Nivokazi: Gjithmonë duhet të luftojmë për fanellë e Kosovës

Nivokazi: Gjithmonë duhet të luftojmë për fanellë e Kosovës

Sulmuesi i ri i Kosovës, Rilind Nivokazi, është shprehur i ngazëllyer pas ftesës së parë nga përzgjedhësi Franco Foda për ndeshjet miqësore ndaj Çekisë dhe Andorrës.

Nivokazi është një nga prurjet e reja te “Dardanët” për dy sfidat e radhës, ndërsa ai e cilësoi këtë grumbullim si një moment shumë të rëndësishëm në karrierën e tij.

“Krenari shumë e madhe për mua dhe për familjen time. Ekipi më ka pritur shumë mirë, po ashtu edhe stafi. Jam shumë i kënaqur dhe shpresoj që kjo të jetë vetëm fillimi”, deklaroi sulmuesi për faqen zyrtare të FFK-së.

Ai foli edhe për atmosferën në ekip dhe mesazhin që trajneri Foda ua ka përcjellë lojtarëve gjatë përgatitjeve për dy miqësoret.

“Trajneri na ka thënë se duhet të japim maksimumin, sepse këto ndeshje janë përgatitje për sfidat që na presin më vonë. Ne luajmë për Kombëtaren dhe gjithmonë duhet të luftojmë për këtë fanellë”, u shpreh Nivokazi.

Kosova fillimisht përballet me Çekinë më 31 maj në udhëtim, ndërsa më 7 qershor do të luajë ndaj Andorrës në “Fadil Vokrri”.

Për Nivokazin, këto miqësore pritet të jenë një mundësi e mirë për të fituar besimin e stafit teknik dhe për të treguar potencialin e tij me fanellën e Kosovës.

Share This