
Nagelsmann: Duhet ta fitojmë ndeshjen ndaj Paraguait
Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka deklaruar se nuk ndjen asnjë presion për të dëshmuar veten, teksa kombëtarja gjermane përgatitet për përballjen ndaj Paraguait në fazën e 1/32 së finales në Kupën e Botës 2026.
Gjermania rikthehet në fazën eliminatore të Botërorit për herë të parë pas 12 vjetësh, pasi në edicionet e viteve 2018 dhe 2022 ishte eliminuar që në fazën e grupeve.
Katër herë kampionët e botës mbërritën në turne pas një serie prej nëntë fitoresh radhazi. Ata e nisën Kupën e Botës me një fitore bindëse 7:1 ndaj Kurasa-so, më pas mposhtën Bregun e Fildishtë në minutat shtesë për të siguruar vendin e parë në Grupin E. Humbja 2:1 ndaj Ekuadorit në ndeshjen e fundit të grupit i dha fund serisë pozitive, por nuk ndikoi në renditje.
“Nuk bëhet fjalë për mua, por vetëm për ekipin dhe suksesin. Qëllimi ynë është ta sjellim në fushë atmosferën e mirë që kemi si grup. Nuk ndiej se duhet t’i dëshmoj diçka askujt, përveçse t’i ndihmoj lojtarët dhe t’i përgatis sa më mirë për ndeshjen”, tha Nagelsmann.
Ai shtoi se nuk e konsideron veten të detyruar të provojë vlerat e tij si trajner.
Nagelsmann, i cili mori drejtimin e Gjermanisë në shtator të vitit 2023, po merr pjesë për herë të parë si selektor në një Kupë Bote. Megjithatë, ai është kritikuar për faktin se sulmuesin Deniz Undav e ka aktivizuar gjithmonë nga stoli, pavarësisht se ai ka shënuar tre gola dhe ka dhënë dy asistime si zëvendësues gjatë këtij turneu.
Gjithashtu, trajneri gjerman është përballur me kritika për besimin e vazhdueshëm ndaj disa futbollistëve që nuk kanë qenë në formën më të mirë, si Jamal Musiala dhe Florian Ëirtz.
Duke folur për kundërshtarin e radhës, Nagelsmann e cilësoi Paraguain si një skuadër të vështirë, pavarësisht se amerikanolatinët u kualifikuan në fazën eliminatore si një nga tetë ekipet më të mira të vendeve të treta.
“Paraguai është një kundërshtar shumë i pakëndshëm dhe do të na vështirësojë punën. Kur drejton kombëtaren e Gjermanisë, pritshmëritë janë gjithmonë që të fitosh. Nëse fiton, gjithçka është perfekte, nëse humbet, gjithçka shihet si e gabuar. Prandaj, duhet ta fitojmë ndeshjen e nesërme”, përfundoi Nagelsmann.

