
Lajm i mirë për Barçën dhe Spanjën, Yamal rikthehet në stërvitje
Lamine Yamal ka bërë një hap të rëndësishëm drejt rikuperimit, duke u rikthyer në stërvitje në fushë në ambientet e Barcelonës, pas periudhës së gjatë jashtë fushave për shkak të lëndimit.
Talenti spanjoll po ndjek një program të detajuar rehabilitimi, pasi pësoi një lëndim muskulor në muajin prill, i cili e ka mbajtur jashtë aktivitetit zyrtar.
Sipas medieve të huaja, Yamal ka nisur tashmë ushtrimet individuale në fushë, pasi më parë kishte kaluar fazën fillestare të rikuperimit në palestër. Lëndimi i tij – një çarje e pjesshme e muskulit në këmbën e majtë – është trajtuar pa ndërhyrje kirurgjikale, sipas vendimit të stafit mjekësor të klubit katalanas.
Megjithatë, është konfirmuar se lojtari nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjet e mbetura të sezonit, duke e mbyllur përfundimisht këtë edicion me Barcelonën.
Në klub, rikthimi i tij gradual në stërvitje shihet si një sinjal pozitiv për të ardhmen, ndërsa fokusi tashmë është te përgatitja për sezonin e ardhshëm.
Gjithashtu, progresi i Yamal ndiqet me vëmendje edhe nga përfaqësuesja e Spanjës, e cila shpreson ta ketë në formë optimale për sfidat e ardhshme ndërkombëtare, përfshirë ciklin kualifikues dhe turnetë madhorë.

