Gashi: Duhet ta ruajmë këtë status quo të re në veri, Kosovës i duhet maturi, strategji dhe përgjegjës

Gashi: Duhet ta ruajmë këtë status quo të re në veri, Kosovës i duhet maturi, strategji dhe përgjegjës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se situata në veri të Kosovës ka ndryshuar, por ka paralajmëruar se vendi përballet tash me rrezik më të madh juridik dhe me një situatë më të ndjeshme në dialog.

Gashi thotë se tani “rreziku juridik është më i madh se më parë”.

“Kur thoja se gjendja faktike në veri ka ndryshuar, dhe se detyra jonë është ta ruajmë këtë status quo të re, ta përmirësojmë dhe njëkohësisht të luftojmë për ta forcuar pozitën juridike të Kosovës, shumëkush më sulmonte, madje edhe nga brenda. Sot, rreziku juridik është më i madh se më parë. Bisedimet janë më të ndjeshme e më të rrezikshme. Ndërsa arkitektura e sigurisë botërore po ndryshon dhe kjo do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në rajonin tonë”, shkroi ai në një postim në Facebook, raporton GE.

Prandaj, ai thotë se “Kosovës i duhet maturi, strategji dhe përgjegjësi shtetërore”.

“Duhet ta ruajmë atë që kemi arritur, ta forcojmë pozitën tonë juridike e ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, të jemi të përgatitur për çdo zhvillim”, shkroi ai.

Në këtë pikë, Gashi përmend raportet me aleatët,

“Raportet speciale me aleatët nuk janë luks politik. Janë interes jetik dhe garanci e sigurisë së Kosovës”.

“Në kohë pasigurie, shteti nuk udhëhiqet me emocione. Udhëhiqet me vizion, maturi dhe guxim. Prandaj na duhen institucione të fuqishme, me vizion të qartë dhe program konkret politik, ekonomik dhe të sigurisë. Kosova nuk ka nevojë për improvizim. Ka nevojë për shtet që mendon përpara, që parashikon rreziqet dhe që di t’i mbrojë interesat e saj”, shkroi ai.

Share This