Tahiri thotë se Qeveria në detyrë po përdor administratën për interesa partiake

Tahiri thotë se Qeveria në detyrë po përdor administratën për interesa partiake

Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri, ka ngritur akuza ndaj Qeverisë në detyrë, duke pretenduar se ajo ka shkelur ligjin përmes vendimeve për themelimin e 18 komisioneve.

Në një konferencë për media të hënën, Tahiri tha se këto komisione janë krijuar me vendime të marra më 12 gusht dhe se, sipas tij, kanë për qëllim emërime në agjenci ekzekutive, institucione qeveritare dhe pozita të tjera publike.

Ai vlerësoi se një qeveri në detyrë nuk duhet të ndërmarrë veprime të tilla dhe akuzoi ministrat për keqpërdorim të funksionit publik.

“Këtu ka zaptim dhe papërgjegjësi totale me funksionin publik”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, administrata shtetërore nuk duhet të vihet në shërbim të asnjë partie politike. Tahiri kërkoi anulimin e vendimeve dhe paralajmëroi se Aleanca do ta dërgojë çështjen te organet kompetente për të kërkuar vlerësimin e ligjshmërisë së tyre.

“Kjo çështje nuk do të mbetet vetëm deklaratë politike, do të kërkojmë shqyrtimin e ligjshmërisë së këtyre akteve dhe vendimeve dhe do t’u drejtohemi organeve kompetente”, tha ai, raporton rtk.

Duke folur për krizën institucionale, Tahiri tha se vendi nuk ndodhet në krizë kushtetuese, por në krizë politike. Sipas tij, përgjegjësinë për këtë situatë e bart Lëvizja Vetëvendosje, të cilën e akuzoi se synon kontrollin e tri pozitave kryesore institucionale.

Tahiri pretendoi gjithashtu se zvarritja e konstituimit të Kuvendit është e qëllimshme dhe se kjo i mundëson kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të ketë më shumë hapësirë për përcaktimin e kohës së zgjedhjeve të reja.

Share This