Beqiri e Ibraimi besojnë te Shkëndija para përballjes me Qarabagun: Nuk fiton gjithmonë favoriti

Beqiri e Ibraimi besojnë te Shkëndija para përballjes me Qarabagun: Nuk fiton gjithmonë favoriti

Trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, është i vetëdijshëm për vështirësinë e përballjes ndaj kampionit të Azerbajxhanit, Qarabag, por ai është optimist se skuadra e tij do të ketë shanset për të befasuar.

Dy skuadrat do të përballen nesër mbrëma në Shkup në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

“Qarabag është ekip shumë serioz, me njëmbëdhjetë tituj kampioni në dymbëdhjetë sezonet e fundit. Por ne besojmë se do t’i kemi shanset tona. Duhet të jemi shumë të fokusuar dhe cinikë në lojë. Duke e respektuar kundërshtarin, nuk duhet të harrojmë asnjëherë të respektojmë edhe veten,” u shpreh Beqiri.

Ai ka kërkuar nga lojtarët e tij që të jenë në formë maksimale dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi.

“Ndeshjet e Champions League nuk fitohen kur nuk je në formën më të mirë. Pas ndeshjes me Steauan nuk isha i kënaqur me lojën, e dija që për të kaluar më tej duhet të luajmë më mirë. Tani, më shumë se kurrë, duhet të jemi agresivë dhe të shfrytëzojmë çdo rast që na paraqitet,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, kapiteni dhe sulmuesi me përvojë, Besar Ibraimi, ka theksuar rëndësinë e një paraqitjeje të disiplinuar, të ngjashme me ndeshjet ndaj TNS dhe FCSB.

“Nëse luajmë si me TNS dhe FCSB, do të kemi shanse edhe ndaj Qarabag. Dua të falënderoj ‘Ballistët’ që na mbështetën në Rumani, dhe i ftoj të jenë nesër në numër të madh. Qarabagu është favorit, por nuk fiton gjithmonë favoriti. Me pak fat, pse jo, mund ta eliminojmë,” u shpreh Ibraimi.

Ndeshja pritet të jetë një sfidë e fortë për ekipin nga Tetova, i cili kërkon të shkruajë histori në arenën evropiane.

Share This