
Presidenti Ademi në podcastin e FFK-së: Kosovën e shoh të kualifikuar në Euro 2028
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) beson se do ta arrijnë kualifikimin historik në Kampionatin Evropian 2028.
Ademi në podcastin e parë të FFK-së ka thënë shumë prapaskena, ku ndër të tjera foli edhe për kombëtaren e Kosovës.
Ai tregoi se Kosova është rritur shumë këto vitet e fundit, e kjo më së miri e tregoi fitorja ndaj Suedisë.
“S’ka presion, realiteti siç e shoh unë (Kosovën në Botëror). Ka eksperta tjerë që e kanë parë Kosovën në Botëror në vitin 2018, kjo më vjen mirë sepse kemi arrit që njerëzit e shohin Kosovën aq lartë, gjithnjë të parën. Ky është lidhje emocionale me ekipin kombëtar, e dojnë shumë Kosovën, e dashuria e madhe pastaj i zhgënjen shumë”.
“Kombëtarja e Kosovës është e gjithë shqiptarëve në Kosovë dhe përtej. E kemi fatin që e kemi edhe Shqipërinë si kombëtare, edhe Kosovën, të cilat i kemi të tonat dhe kemi shkëmbyer njerëz e sene. Federata dhe Kombëtarja është krijuar një ekip dhe sidomos për tash në Euro 2028, Kosovën e gjen të kualifikuar”.
“Nëse analizojmë lojët, le t’më falin analistat. Në stërvitjen e fundit e kemi parë në Hajvali, formacionin të cilin e do përzgjedhësi Foda. Ka qenë një stërvitje e jashtëzakonshme, aq sa më kujtohet asnjë top as nuk ka dalë jashtë kuadratit të golit, aq ka qenë stërvitje e mirë. Pastaj të shkojmë në Zvicër dhe të luajmë aq dobët, askush s’e ka pritur. Pastaj me Suedinë, në dy ndeshjet e para, jo veç që na kanë mujt kah 3-0, po pas golit të tretë, jo që nuk kanë luajtur 100 për qind, por kanë mbajtur dominimin”.
“Prej asaj humbjes të rëndë, kthehesh me Suedinë dhe fiton, atëherë duhet ta dish se kush është kjo skuadër. I falënderoj futbollistë sepse kështu duhet mbajtur për vendin e vetë. Fanella e Kosovës peshon rëndë, secila vijë e ka një të zhdukur, një të vrarë, një viktimë dhe një gjak të derdhur në familje, prandaj duhet të kesh shumë bagazh për të kritikuar një ngjarje të tillë”, deklaroi ai.


