Kurti për 15 nënshkrimet e LDK-së: I gatshëm të kërkoj tërheqjen e Hoxhës

Kurti për 15 nënshkrimet e LDK-së: I gatshëm të kërkoj tërheqjen e Hoxhës

Pas publikimit të 15 nënshkrimeve të LDK-së për presidentin, kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka thënë se janë në gatishmëri të tërheqin Hatixhe Hoxhën si kandidate për presidente, në rast se LDK sjellë propozime tjera për president.

Ai ka kërkuar nga LDK që ta mbledh kryesinë, të vendosë për emrin që do të propozohet nga ana e tyre dhe nënshkrimet t’i sjellin me datë të sotme, duke thënë se do të përkrah bashkëpunimin në këtë formë.

“Ndonëse 15 deputetë mund të kualifikohen për gjysmë kandidati, po me gjysmë kandidatin në Kuvend nuk shkohet. Duhet kandidati i plotë, ne e bëjmë kandidatin e plotë. Ne jemi të gatshëm t’ua bëjmë kandidatin e plotë. Le të na e sjellin atë, unë flas me profesoreshën Hatixhe Hoxha që të tërhiqet edhe shkojmë në garë. Sonte Kosova bëhet me president apo presidente të re, varet kush fiton. Së fundmi duhet ta theksojmë që pikërisht kjo është arsyeja pse unë kam kërkuar që edhe PDK edhe LDK t’i sjellin tre kandidatë sepse bashkë me neve e kalojmë sigurt numrin prej 90 nënshkrimeve. Në fakt jemi 103, po ja dikush nuk është dakord me dikë, po mbi 90 jemi sigurt edhe e kemi të garantuar zgjedhjen e presidentit të ri. Pra ata propozimet, ne mbështetjen e garantuar. Po u refuzua një gjë e tillë dhe këtu jemi”, tha ai.

Kurti duke folur në konferencë për media tha se nuk është i sigurt për cilin kandidatë për president janë 15 nënshkrimet e LDK-së.

“Ajo listë me 15 veta veçse tregonte që deputetët e grupit parlamentar të LDK-së janë bashkë. Për çka janë bashkë nuk e morëm vesh, po janë bashkë. Në një listë ishin bashkë. 15 veta edhe me datën 25 prill. Pra 15 veta me 25 prill kanë qenë bashkë. Për çka kanë qenë bashkë nuk e dimë. Duhet të më tregojnë për çka janë bashkë dhe unë i pranoj edhe ashtu bashkë”, tha ai, raporton rtk.

Kurti në konferencë i bëri thirrje kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe grupeve të tjera parlamentare për pjesëmarrje sonte në Kuvend. Ai tha se s’mund të thuhet që po mbrohet shteti duke bllokuar procese e duke bojkotuar seancën.

Share This