
Barcelona fitore bindëse ndaj Getafes, shkëlqejnë Torres dhe Olmo
Barcelona ka regjistruar një fitore të pastër 3:0 ndaj Getafes, në kuadër të xhiros së pestë në La Liga.
Para fillimit të ndeshjes, trajneri Hansi Flick bëri një ndryshim të papritur, duke e lënë Marcus Rashfordin në stol për shkak të vonesës në stërvitje – njësoj siç kishte bërë javë më parë me Raphinhan.
Katalunasit e nisën fuqishëm takimin dhe kaluan në epërsi në minutën e 15-të, kur Ferran Torres shënoi nga afërsia pas asistimit të Dani Olmos. Torres vazhdoi formën e tij të shkëlqyer duke dyfishuar rezultatin në minutën e 34-të, pas një kundëraksioni të shpejtë të përfunduar me asistim nga Raphinha.
Rezultatin përfundimtar 3:0 e vulosi Dani Olmo në minutën e 62-të, me një goditje të saktë pas pasimit të Rashfordit, i cili u inkuadrua në pjesën e dytë.
Pas këtij triumfi, Barcelona arrin në kuotën e 13 pikëve, dy më pak se lideri Real Madrid, ndërsa Getafe zbret në pozitën e tetë me nëntë pikë.


