Arteta pas finales: Penalltia mund të ishte dhënë, humbja është e dhimbshme

Arteta pas finales: Penalltia mund të ishte dhënë, humbja është e dhimbshme

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka ngritur pikëpyetje për disa vendime të diskutueshme të gjyqtarit në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain, të cilën londinezët e humbën pas ekzekutimit të penalltive.

Arsenali dhe PSG-ja nuk arritën të ndahen as pas 120 minutash lojë, me ndeshjen që përfundoi 1-1. Në serinë e penalltive, Eberechi Eze dhe Gabriel nuk arritën të realizojnë, duke i kushtuar skuadrës londineze trofeun.

Arsenali kishte kaluar në epërsi në minutën e gjashtë me golin e Kai Havertz, ndërsa PSG-ja u rikthye në lojë me golin e Ousmane Dembélé nga pika e bardhë, pas një faulli në zonë nga Cristhian Mosquera ndaj Khvicha Kvaratskhelia.

Dramë pati edhe në minutat e fundit të kohës shtesë, kur Noni Madueke u rrëzua në zonë pas një dueli fizik me Nuno Mendes, episod për të cilin Arteta la të kuptohet se mund të ishte penallti.

“E shikova sërish dhe mund të ishte lehtësisht penallti. Sidomos po të shohim penalltinë që ma dhanë mua këtë vit në këtë kompeticion”, ka thënë Arteta.

Ai shtoi se vendimet e ndryshme brenda ndeshjes kishin ndikim në rrjedhën e saj.

“Këtë sezon, gjyqtari mori një vendim dhe pastaj mori një tjetër me Cristhian Mosquera dhe kjo është e rëndësishme”, u shpreh ai.

Pavarësisht zhgënjimit, Arteta u shpreh krenar për paraqitjen e skuadrës së tij gjatë gjithë edicionit në Champions League.

“Jam shumë krenar për lojtarët e mi për faktin se, në rrethanat që ne i dimë brenda skuadrës, për gjithçka kemi kaluar… Arritëm te ndeshja e madhe dhe na mungoi më e madhja”, tha ai.

“Duhet ta pranojmë sezonin që patëm. Askush nuk do ta heqë dhimbjen nga brenda teje”, përfundoi trajneri i Arsenalit.

Share This