
Hoxhaj: Presim vetëm një vendim, që Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi të lirohen
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka folur për aktgjykimin e pritshëm ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka thënë se PDK-ja pret vetëm një rezultat: lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në një intervistë në RTK Prime, Hoxhaj tha se pikërisht për shkak të rëndësisë së këtij vendimi, PDK-ja ka insistuar që në ditën kur pritet aktgjykimi të ketë një Kuvend funksional të Republikës së Kosovës.
“Ne e ndërlidhëm praninë tonë në seancën e Kuvendit me domosdoshmërinë që në ditën kur merret vendimi, për të cilin na presim të jetë vetëm një vendim që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të lirohen, të kthehen në Kosovë, atë ditë të ketë Kuvend të Republikës së Kosovës”, deklaroi Hoxhaj.
Ai e cilësoi vendimin e Dhomave të Specializuara si një prej vendimeve më të rëndësishme për Kosovën, jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
“Jam shumë i sigurt që këtë vendim të gjykatës miqtë tanë do ta përdorin në mbështetje të Kosovës, por edhe kundërshtarët tanë do ta përdorin”, tha Hoxhaj, duke shtuar se në politikë duhet të merren parasysh edhe pasojat që mund të ketë një vendim i tillë.
Sipas tij, Kosova duhet ta presë këtë moment me institucione funksionale.
“Prandaj ne mendojmë që duhet të ketë institucione që Kuvendi i Kosovës të jetë funksional. Po të ketë edhe Qeveri funksionale për neve është në rregull, po të ketë edhe President”, u shpreh ai.
Hoxhaj tha se qëllimi i PDK-së është që institucionet e Kosovës të jenë funksionale dhe të gatshme për kthimin e liderëve të UÇK-së në Kosovë.
“Ne do të dëshironim që të ketë një gjë të tillë, jo vetëm Kuvend të Kosovës, meqë ne mendojmë që duhet të ketë institucione të cilat i presin liderët që të kthehen në Kosovë”, deklaroi Hoxhaj.
Ai theksoi se ky ka qenë qëndrimi i PDK-së edhe në të kaluarën dhe se të njëjtin qëndrim e kanë shprehur edhe në seancën e fundit të Kuvendit. /rtk/

