
Mes bllokadës dhe zgjidhjes
Kuvendi pritet ta vazhdojë nesër seancën për zgjedhjen e nënkryetarëve. Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se procesi i konstituimit të institucioneve tashmë është jashtë afateve kushtetuese dhe se sfidë e radhës mbetet edhe zgjedhja e presidentit. Sipas tyre, mënyra se si do të zhvillohen këto procese, do ta përcaktojë nëse vendi do të arrijë të dalë nga ngërçi apo do të përballet me një krizë të re politike.
Mes vazhdimit të bllokadës institucionale dhe konstituimit të Legjislaturës së 11-të, që do t’i hapte rrugë fillimisht formimit të Qeverisë së re të vendit e më pas nisjes së procesit për zgjedhjen e presidentit, njohësit e zhvillimeve politike shprehen skeptikë për një zgjidhje të shpejtë të ngërçit.
Valon Murati i tha RTK-së se tashmë i gjithë procesi është jashtë afateve kushtetuese.
“Nuk kanë asnjë lidhje konstituimi i Kuvendit të Kosovës me zgjedhjen e presidentit. Pra, dhe ne e dimë që çdo herë shumica duhet të votojë për t’u zgjedhur nënkryetarët e tjerë, sepse është e pamundur, sepse e kemi vetëm një shumicë. Këtu jemi në një situatë dramatike, thashë të brendshme, jemi në një situatë jashtëzakonisht të ndjeshme ndërkombëtare, gjeopolitike, me zhvillime shumë problematike që ne po na gjejnë pa institucione, tha ai.
Ndërsa njohësi i zhvillimeve politike, Sadik Zeqiri, tha se edhe nëse nesër konstituohet Kuvendi dhe formohet Qeveria, bllokada rreth zgjedhjes së presidentit mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje.
“Kjo legjislaturë nuk ka me prodhuar institucione të vendit. Ka inate të mëdha, ka pabesi edhe mosbesi në mes liderëve të subjekteve politike, ka pafuqi veprimi dhe politikë të subjekteve ose të ndonjë nga kryetarët e subjekteve politike, siç është Lidhja Demokratike, të bëhet një marrëveshje për zgjedhje. S’ka marrëveshje, s’ka president konsensual, s’ka kuvend konsensual, s’ka qeveri konsensuale, ka inate, prandaj veç vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, theksoi Zeqiri.
Tashmë, Zyra e Kuvendit ka shpërndarë njoftimin për vazhdimin e seancës, me vetëm një pikë të rendit të ditës zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Në seancën e djeshme nuk u arrit pajtim për mënyrën e votimit të nënkryetarëve. Për këtë arsye, kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vendosi ta shtyjë seancën për të premten. Lëvizja Vetëvendosje tha dje se nuk do t’i votojë nënkryetarët e propozuar nga PDK-ja dhe LDK-ja, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala me arsyetimin se ata janë deklaruar se nuk do të votojnë për presidentin e ri të vendit. /rtk/

