Gjini prezanton programin e Aleancës: Plan i pastër pune për çdo familje në Kosovë

Gjini prezanton programin e Aleancës: Plan i pastër pune për çdo familje në Kosovë

Nga Rekordi.net

Kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, ka publikuar një videomesazh në Facebook ku ka prezantuar programin politik të partisë së tij, të cilin e ka cilësuar si një “plan të pastër pune për çdo familje në Kosovë”.

Gjini tha se gjatë takimeve me qytetarë në terren po prezantohet vazhdimisht programi i Aleancës, i cili, sipas tij, bazohet në gjashtë vendime strategjike që do të nisin të zbatohen menjëherë pas marrjes së mandatit.

“Çdo ditë në terren, para qytetarëve, po e shpalosim të vetmen rrugë që na dërgon përpara. Ky është programi ynë, një plan i ndërtuar mbi gjashtë vendime strategjike që do t’i zbatojmë menjëherë”, ka deklaruar Gjini.

Në videomesazh, ai ka përmendur si prioritete orientimin e qartë pro aleatëve perëndimorë dhe Shqipërisë, uljen e taksave për sektorin privat me qëllim nxitjen e investimeve dhe rritjen e pagave, si dhe krijimin e shkollave profesionale të lidhura drejtpërdrejt me tregun e punës në teknologji dhe prodhim.

Gjini po ashtu ka premtuar shëndetësi plotësisht falas që në vitin e parë të qeverisjes, duke theksuar se këto masa do të realizohen pa vonesa dhe pa pengesa institucionale.

“Ky është plani i pastër i punës për çdo familje në Kosovë”, u shpreh ai në fund të mesazhit të tij.

Share This