
Fluks i madh i pushuesve nga Kosova drejt Shqipërisë në Morinë
Vijon fluksi i lartë i hyrjeve nga Kosova drejt Shqipërisë, me destinacion kryesisht bregdetin shqiptar, ndërsa fundjava ka shënuar një lëvizje të konsiderueshme në pikën kufitare të Morinës.
Në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë, këtë të diel, nga ora 05:00 deri në orën 09:30, kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë 17.218 shtetas të Kosovës me 4.892 mjete.
Fluksi i lartë është evidentuar edhe gjatë orëve të para të së shtunës, kur në drejtim të bregdetit shqiptar udhëtuan 24.408 shtetas të Kosovës me 8.592 mjete.
Në total, gjatë orëve të para te raportuara nga Drejtoria per Kufirin dhe Emigracionin Kukes, të dy ditëve të fundjavës, në Shqipëri kanë hyrë 41.626 shtetas të Kosovës me 13.484 mjete.
Fluksi i mjeteve vijon përgjatë Rrugës së Kombit
Fundi i gushtit ka sjellë një tjetër valë lëvizjesh nga Kosova drejt Shqipërisë.
Shumë pushues kanë zgjedhur të shfrytëzojnë ditët e fundit të sezonit veror në bregdetin shqiptar, duke rritur ndjeshëm numrin e automjeteve në pikën kufitare të Morinit.
Fluksi i mjeteve vijon përgjatë Rrugës së Kombit, veçanërisht në aksin nga Morini deri te Pika e Pagesës, ku qarkullimi është më i dendur.
Për përballimin e situatës, në Morinë janë vënë në funksion të gjitha sportelet, ndërsa edhe në Pikën e Pagesës së Rrugës së Kombit po punohet me kapacitet të plotë për të shmangur krijimin e radhëve.
Lëvizjet e shumta pritet të vijojnë gjatë orëve të ardhshme, teksa udhëtarë të shumtë nga Kosova po i drejtohen plazheve të Shqipërisë për një fundjavë apo disa ditë pushime para përfundimit të sezonit veror. /rtk/

