Tërmet i mesëm trondit Tokion, mbi 30 persona të plagosur

Tërmet i mesëm trondit Tokion, mbi 30 persona të plagosur

Një tërmet i moderuar me magnitudë paraprake prej 5.9 ballë ka tronditur Japoninë lindore, përfshirë zonën e Tokios, të dielën në mëngjes.

Autoritetet raportuan mbi 30 persona të plagosur, shumica prej tyre lehtë, ndërsa konfirmuan se nuk kishte rrezik për cunami.

Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, lëkundjet u regjistruan në prefekturën jugore të Ibarakit, në një thellësi prej 70 kilometrash.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së raportoi një magnitudë paraprake prej 5.8 ballë. Zona ku ndodhi tërmeti është e njohur për aktivitet të shpeshtë sizmik.

Zyrtarët lokalë bënë të ditur se 30 persona u plagosën në katër prefektura të rajonit: nëntë në Saitama, nëntë në Kanagawa, katër në Chiba dhe një në Ibaraki. Shumica e dëmtimeve ndodhën kur njerëzit ranë ose u përplasën me mobilje gjatë panikut. Një grua në të 80-at në Yokohama pësoi dëmtim serioz në ije pasi ra nga shtrati.

Tërmeti shkaktoi vonesa në trenat ekspres që shërbejnë Tokion dhe Aeroportin Narita, si dhe në linjat lokale në rajonet verilindore. Megjithatë, trenat me shpejtësi të lartë Shinkansen vijuan normalisht. Një tub uji shpërtheu në lagjen Koto të Tokios, duke shkaktuar rrjedhje në rrugë, por u riparua shpejt. Rreth 460 shtëpi mbetën pa energji elektrike, e cila u rikthye brenda pak orësh.

Kryeministrja Sanae Takaichi njoftoi ngritjen e një grupi pune për të vlerësuar dëmet e mundshme. Autoriteti i Rregullimit Bërthamor raportoi se nuk pati anomali në centralet bërthamore apo objektet që merren me materiale radioaktive.

Tërmeti u ndje fuqishëm në Tokion, ku alarmet emergjente u aktivizuan në telefonat celularë. Televizioni publik NHK raportoi se trafiku në qytetet përreth, përfshirë Mito dhe Saitama, vijonte normalisht.

Ky incident vjen një muaj pas tërmetit me magnitudë 7.1 që goditi zonën Kumamoto në ishullin Kyushu, duke vrarë 38 persona, plagosur 364 të tjerë dhe shkaktuar dëme të mëdha në mbi 20,000 ndërtesa. /rtsh/

Share This