Evra: PSG mund ta ‘shkatërrojë’ Arsenalin

Evra: PSG mund ta ‘shkatërrojë’ Arsenalin

Legjenda e Manchester United, Patrice Evra, ka dhënë një paralajmërim të fortë për Arsenalin përpara finales së Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain, duke sugjeruar se kampionët francezë mund të jenë tepër të fortë për londinezët.

Arsenal dhe PSG do të përballen të shtunën në finalen e madhe të elitës së futbollit evropian, në Budapest, në një duel mes dy skuadrave që kanë qenë në formë të shkëlqyer gjatë këtij sezoni.

“Topçinjtë” synojnë trofeun e tyre të parë evropian, ndërsa PSG kërkon të mbrojë titullin pas një rrugëtimi bindës në këtë kompeticion.

Sipas Evras, skuadra e Luis Enrique ka treguar dominim në futbollin evropian dhe mund të ndëshkojë çdo gabim të Arsenalit, sidomos nëse këta të fundit zgjedhin një qasje më të tërhequr në lojë.

“Mendoj se PSG po dominon futbollin dhe shpresoj që Arsenali të luajë hapur, sepse nëse mbyllen në mbrojtje si zakonisht, PSG mund t’u shënojë pesë gola, siç bënë ndaj Interit në finale. Ata janë mjeshtër të lojës”, ka deklaruar Evra.

Ai theksoi se forma e lojtarëve si Ousmane Dembele dhe pjesa tjetër e sulmit të PSG-së mund të bëjnë diferencën në finale.

“Nëse Dembele dhe të tjerët janë në formë, ata mund ta shkatërrojnë Arsenalin. Por futbolli është i paparashikueshëm. Arsenali ka fituar Premier League pas 22 vitesh dhe kjo është arritja më e madhe për ta. Champions League do të ishte vetëm qershia mbi tortë”, shtoi ai.

Evra përfundoi duke theksuar se presioni mbi Arsenalin është më i vogël pasi sezoni i tyre tashmë konsiderohet i suksesshëm, ndërsa finalja mbetet një bonus për tifozët.

Share This