
Zjarret në vend, Kryeministri Rama: Zjarrëvenësit e qëllimshëm do marrin dënimin më të rëndë të ligjit
Në një moment kur disa qarqe të vendit po përballen me situata kritike prej zjarreve, Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke paralajmëruar të gjithë personat që ndezin zjarre qëllimisht, duke rrezikuar jetë njerëzish, se do të përballen me forcën e ligjit.
“Ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji”, shkruan Rama ndërsa ka shprehur mirënjohjen për të gjitha forcat zjarrfikëse, të ushtrisë e vullnetarë të cilët prej ditësh janë në luftë me flakët.
“Falenderim, respekt, mirënjohje me zemër për zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur njerëzit, shtëpitë dhe natyrën tonë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Prej disa ditësh, vendi ynë po përballet me zjarret, të cilat kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve, e duke djegur disa banesa. Një viktimë u regjistrua dje (12 gusht) në Gramsh, si pasojë e zjarrit të ndezur në kopshtin e tij, e të përhapur më pas në fshatra të tjerë e favorizuar prej erave.
Po ashtu, ditën e sotme, janë riaktivizuar disa vatra zjarri në Delvinë, ndërsa 4 banesa janë djegur totalisht. /rtsh/


