
E akuzuan për puç e shkelje kushtetuese, Kurti përgjigjet: Sjelljet e opozitës janë joshtetërore dhe anti-institucionaliste
Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar partitë opozitare për sjellje “joshtetërore” e “anti-institucionaliste” pas refuzimit për të marrë pjesë në seancën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për President.
“Opozita në Kosovë nuk ka qëllim tjetër përveçse bllokimit, tash e sa kohë sjelljet e kësaj opozite janë joshtetërore dhe anti-institucionaliste. Ajo është e interesuar në vetëm një gjë: bllokimin e qeverisjes tonë, e cila në këtë mandat ka rezultat historik. Në këto rrethana e gjithë kjo bllokadë opozitare përmes bojkotit të seancave plenare s’mund të quhet ndryshe pos mosnjohje e rezultatit zgjedhor dhe vullnetit të shprehur qartë më 28 dhjetor”.
Kurti tha se opozita e ka edhe një qëllim tjetër.
“Dëshmi për bllokadën është edhe një fakt tjetër për ta kundërshtuar pakon ekonomike për qytetarët, pra rishikimin e buxhetit, përkatësisht përballjen me inflacionin 2.0, u mobilizuan të gjithë, përfshirë edhe Listën Serbe, kurse për president s’po vijnë as në sallë. Me bindjen e thellë që Kosovës s’i duhen bllokadat e atyre 10 muajve të shkuar, me besimin e plotë se Kosovës s’i duhen zgjedhje të reja meqë kemi mbajtur mjaftueshëm më 2025 dhe rezultati ka qenë i qartë, vendit do t’ia humbin edhe së paku mbi 10 milionë euro vetëm për organizimin e zgjedhjeve, pa përmendur dhjetëra milionë të tjerë që humbin për shkak se s’mund të bashkëpunojmë me bashkësinë ndërkombëtare siç duam meqë s’do të kemi Kuvend funksional”.
Kurti pretendoi se i kanë bërë të gjitha përpjekjet që vendi ë mos shkojë në “zgjedhje të përsëritura e të panevojshme”.
“U përpoqëm për kandidat konsuensual, por ishte e pamundur. Ne propozime ata refuzime”.

