
Ngriti flamurin kombëtar, thirret nga autoritetet serbe Enkel Rexhepi
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi, ka njoftuar se ndaj tij dhe institucionit që ai drejton është hapur një procedurë kundërvajtëse për shkak të vendosjes së flamurit shqiptar gjatë një aktiviteti përkujtimor kushtuar Jonuz Musliut.
Rexhepi thekson se flamuri shqiptar nuk përfaqëson provokim, por është simbol i identitetit dhe dinjitetit kombëtar, duke shtuar se përdorimi i tij në aktivitete përkujtimore është i natyrshëm dhe plotësisht legjitim.
Ai bëri të ditur se kjo është hera e tretë që ai thirret për të njëjtën çështje, ndërsa Këshilli Kombëtar Shqiptar, sipas tij, përballet për herë të dymbëdhjetë me procedura të ngjashme lidhur me përdorimin e simboleve kombëtare.
Në reagimin e tij, Rexhepi u shpreh se pavarësisht këtyre proceseve, KKSH do të vazhdojë të mbrojë të drejtën për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare, duke e konsideruar këtë si një çështje parimore që lidhet me identitetin dhe të drejtat e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, raporton rtk.
Kujtojmë se në Serbi, përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar është ndaluar, madje në disa raste me gjoba dhe procedura kundërvajtëse, duke u kthyer në një çështje të përsëritur tensionesh me komunitetin shqiptar. Përfaqësuesit shqiptarë e cilësojnë këtë praktikë si goditje të regjimit serb ndaj identitetit kombëtar dhe të drejtave të shqiptarëve atje.

