Në vitin 2024, 53 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve

Në vitin 2024, 53 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka prezantuar raportin dhe indeksin vjetor për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë, i cili publikohet në kuadër të platformës SafeJournalists Network.

Raporti u prezantua nga autorja dhe hulumtuesja, njëkohësisht drejtoresha ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi.
Pjesë e panelit ishin edhe kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, dhe zyrtari Ligjor i AGK-së, Yll Zekaj, i cili ka shërbyer si ekspert ligjor në përgatitjen e raportit.

Gjetjet kryesore të raportit për vitin 2024 përfshijnë: 53 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, përfshirë 9 kërcënime serioze për jetë, 7 sulme fizike dhe 18 forma të presionit jofizik. Rritje e rasteve të sulmeve në ambientin online, veçanërisht ndaj grave gazetare. 13 raste të sulmeve, ndërhyrjeve apo presionit ndaj mediave dhe organizatave mediale.

Ndërhyrje politike shqetësuese ndaj mediave, përfshirë presione të drejtpërdrejta ndaj RTK-së që kulmuan me dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj, si dhe sulme verbale dhe ligjore ndaj mediave nga zyrtarë shtetërorë.

“Rritje e padive SLAPP ndaj gazetarëve e aktivistëve: rastet e Robert Bojaj, Ardiana Thaçi Mehmeti, Betim Musliu, Ehat Miftarit dhe Leonida Molliqajt janë dëshmi e tentimeve për heshtjen e raportimit kritik dhe aktivizmit publik. Themelimi i Rrjetit të Grave Gazetare të Kosovës si një iniciativë thelbësore për fuqizimin dhe mbrojtjen e gazetareve në mungesë të një sindikate funksionale. Diskutimi u zhvillua me gazetare nga gjithë vendi, si dhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare që punojnë për lirinë e shprehjes dhe të drejtën për informim”, ka njoftuar AGK-ja.

AGK-ja rithekson angazhimin e vet për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve dhe për të avancuar standardet e gazetarisë së lirë dhe të sigurt në Kosovë.

Share This