
Netanyahu: Irani ende ka 400 kilogramë uranium të pasuruar
Pas sulmeve nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi objektet bërthamore iraniane, mbetet i paqartë fati i mbi 400 kilogramëve uranium të pasuruar.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu sqaroi mbëmë në një intervistë për televizionin “i24new”, se ky material nuk është shkatërruar.
“Ata ende kanë 400 kilogramë uranium të pasuruar ”, tha ai. “Ky është një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për prodhimin e bombave bërthamore”.
Izraeli zhvilloi një luftë 12-ditore kundër Iranit në qershor dhe, së bashku me SHBA-të, bombardoi objektet kryesore bërthamore. Netanyahu theksoi se programi bërthamor i Teheranit është kthyer prapa me vite pas këtyre sulmeve.
“Aktualisht, ata nuk janë në gjendje të bëjnë përpara me planet që kishin”, u shpreh ai.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka raportuar se Irani zotëron mbi 400 kilogramë uranium të pasuruar 60 %, shumë afër nivelit për prodhimin e armëve bërthamore. Sipas diplomatëve, nëse ky material do të pasurohej më tej deri në 90%, mund të prodhoheshin disa armë bërthamore.
Pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, IAEA shprehu interes për të verifikuar vendndodhjen e këtij materiali në Iran. Drejtori i saj, Rafael Grossi, i tha “CBS News” në qershor se agjencia nuk e di se ku ndodhej ky material.
Udhëheqësit në Teheran këmbëngulin se programi i tyre bërthamor ka qëllime vetëm civile dhe se nuk duan të prodhojnë armë bërthamore. Megjithatë, në shumë vende është rritur frika se Irani po afrohet gjithnjë e më shumë me aftësinë për të prodhuar armë bërthamore. /atsh/


