
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, votohet në 29 përfaqësi diplomatike, KQZ njofton oraret e mbylljes së kutive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se procesi zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare po vijon në 29 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës në mbarë botën.
Sipas të dhënave zyrtare, janë 19,187 shtetas të Kosovës të cilët janë regjistruar paraprakisht dhe kanë fituar të drejtën për të votuar fizikisht në 16 ambasada dhe 13 konsullata.
Oraret e mbylljes sipas zonave
KQZ ka publikuar orarin e detajuar të mbylljes së qendrave të votimit, të konvertuara sipas kohës lokale në Kosovë:
Ora 17:00: Mbyllet votimi në Konsullatën e Stambollit.
Ora 19:00: Mbyllen vendvotimet në pjesën më të madhe të Evropës, përfshirë: Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke dhe Hungari.
Ora 20:00: Përfundon procesi në Ambasadën e Kosovës në Londër.
Ora 01:00 (e ditës tjetër): Mbyllen kutitë në 4 përfaqësitë diplomatike përtej oqeanit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.
Në njoftimin e saj, KQZ theksoi se ky proces vjen pas një periudhe përgatitore disa javore për të mundësuar votimin e diasporës në mënyrë të rregullt dhe transparente. /rtsh/


