CNN: Marrëdhënia e tensionuar – pse këtë herë takimi i Netanyahut me Trumpin mund të mos shkojë sipas skenarit

CNN: Marrëdhënia e tensionuar – pse këtë herë takimi i Netanyahut me Trumpin mund të mos shkojë sipas skenarit

Për vite me radhë, vizitat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump në Washington kanë ndjekur një skenar të mirëorkestruar: tapet i kuq, shtrëngim i ngrohtë duarsh dhe mesazhe të përbashkëta për afërsinë e aleancës Izrael-SHBA.

Por marrëdhënia ka ndryshuar ndjeshëm që nga takimi i tyre i fundit pesë muaj më parë. Bashkëpunimi i ngushtë dhe lavdërimet e shumta që shoqëruan fillimin e luftës me Iranin ua kanë lënë vendin shpërthimeve verbale plot fjalë të rënda nga Trump, të drejtuara ndaj mbështetësit të tij më të zëshëm në arenën ndërkombëtare.

Kjo është vizita e shtatë e Netanyahut në SHBA që prej rikthimit të Trumpit në pushtet – më shumë se e çdo lideri tjetër botëror. Këtë herë, megjithatë, ai mbërrin në Washington si një lider që përballet me zgjedhjet, duke u përpjekur ta stabilizojë një marrëdhënie që është tensionuar dukshëm.

Sipas një zyrtari amerikan dhe një burimi izraelit, Netanyahu ka punuar prej disa javësh për të siguruar një ftesë në Shtëpinë e Bardhë, me synimin për të diskutuar përparimin e luftës me Iranin dhe për ta paralajmëruar Trumpin kundër lëshimeve diplomatike, raporton CNN.

Trump ka hezituar ta pranojë takimin dhe disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë ishin të irrituar nga ajo që e konsideronin si përpjekje të Izraelit për ta siguruar takimin përmes rrjedhjeve në media – për ta “bërë takimin realitet” përmes presionit publik, tha zyrtari amerikan. Funerali i senatorit amerikan Lindsey Graham këtë javë krijoi një mundësi për një takim, edhe pse ai do të jetë dytësor krahasuar me ngjarjen kryesore.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se Trump ka një “marrëdhënie të fortë” me Netanyahun dhe se Izraeli “nuk ka mik më të madh” se presidenti amerikan. “Amerikanët dhe aleatët tanë në mbarë botën tashmë janë më të sigurt falë veprimeve të guximshme të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit për t’ia mohuar regjimit iranian aftësinë për të zhvilluar armë bërthamore”, tha zyrtari për CNN, transmeton GE.

Kur të dy lideët u takuan për herë të fundit, në shkurt, ata hodhën bazat për atë që më pas u shndërrua në një fushatë të përbashkët ushtarake kundër Iranit. Sulmet e para të luftës u bënë një shembull i koordinimit ushtarak të paprecedentë, të cilin si Netanyahu ashtu edhe Trump e promovuan dhe e vlerësuan me entuziazëm. Por ndërsa lufta u zgjat, pa arritur objektivin tepër optimist për rrëzimin e regjimit iranian, dallimet mes tyre u bënë të qarta: Netanyahu donte ta vazhdonte presionin, ndërsa Trump kërkonte një rrugëdalje.

Para nisjes së luftës, Trump ishte bindur nga kryeministri izraelit dhe të tjerë se konflikti do të mbahej nën kontroll dhe do të zgjaste vetëm disa javë. Disa muaj më vonë, zemërimi i tij për situatën aktuale – një ngërç i pasigurt dhe vdekjeprurës – ka çuar në takime private të mbushura me fjalë të rënda dhe në zemërim ndaj regjimit në Teheran për faktin se nuk u dorëzua siç ai kishte pritur, sipas një zyrtari amerikan.

Një burim izraelit tha se Netanyahu planifikon t’ia paraqesë Trumpit informacione të reja të inteligjencës mbi gjendjen e rindërtimit të kapaciteteve bërthamore dhe ushtarake të Iranit, megjithëse Izraeli vlerëson se “Trump ka pak interes për ta rifilluar një luftë të plotë, të paktën para zgjedhjeve amerikane në nëntor”.

Netanyahu ka shmangur përplasjen publike me Trumpin lidhur me armëpushimin e papritur të muajit prill, por aleatët e tij politikë e kanë sulmuar marrëveshjen me Iranin, ndërsa mediat pranë Netanyahut kanë vënë në shënjestër autorët e saj: zëvendëspresidentin JD Vance, Jared Kushner dhe Steve Witkoff. Nga ana tjetër, Vance akuzoi anëtarë të kabinetit të Netanyahut se po punonin për të sabotuar negociatat me Iranin dhe për të ndikuar në opinionin publik amerikan kundër marrëveshjes, duke paralajmëruar se Izraeli po e largon nga vetja “të vetmin aleat të fuqishëm që i ka mbetur”.

Sipas zyrtarëve, Trump është plotësisht i vetëdijshëm për presionin politik me të cilin përballet Netanyahu para zgjedhjeve kombëtare të Izraelit në tetor dhe e di se mbështetja e tij mund të jetë vendimtare për kryeministrin. Duke qenë i vetëdijshëm për këtë ndikim, Trump ka zgjedhur ta mbështesë në mënyrë selektive, përfshirë javën e kaluar, kur tha se Netanyahu nuk do të arrestohej nëse do të shkonte në Shtetet e Bashkuara, pasi kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, fillimisht refuzoi të tërhiqej nga premtimi i fushatës për ta bërë një gjë të tillë.

Trump nuk e ka fajësuar Netanyahun për situatën, të paktën publikisht. Megjithatë, ai e ka quajtur atë “të çmendur” dhe “të vështirë” për vazhdimin e fushatës së bombardimeve në Liban, e cila rrezikonte armëpushimin. Ai gjithashtu e ka qortuar ashpër në telefon për devijimin nga objektivat e luftës të përcaktuara nga Trump.

Ky dallim objektivash shkon përtej Iranit.

Teksa Trump e shtynte Netanyahun të ndalonte luftimet kundër Hezbollahut, Libani u bë një tjetër pikë përplasjeje. Në një telefonatë të fillimit të qershorit, të raportuar nga Axios, Trump i tha Netanyahut: “Tani të gjithë të urrejnë… të gjithë e urrejnë Izraelin për shkak të kësaj.”

Izraeli përfundimisht pranoi një marrëveshje trepalëshe me Libanin një muaj më parë, por refuzon të tërheqë plotësisht trupat nga jugu i Libanit pa u çarmatosur më parë Hezbollahu. Sipas një burimi izraelit të informuar mbi mbledhjen, Netanyahu i tha kabinetit të tij të sigurisë të dielën se administrata Trump dëshiron të tërheqë forcat izraelite nga pozicionet në Liban, si edhe në Gaza dhe Siri.

Burimi i tha CNN se Netanyahu sqaroi se synon ta kundërshtojë këtë ide.

Përveç konflikteve të kahershme rajonale, në javët e fundit janë shfaqur edhe dy çështje të tjera: planet e mundshme të Trumpit për t’i shitur Turqisë avionë luftarakë të avancuar F-35 dhe marrëveshja civile bërthamore SHBA-Arabi Saudite. Zyrtarët izraelitë druhen se e para mund të dëmtojë epërsinë cilësore ushtarake të vendit, ndërsa e dyta mund të nxisë një garë bërthamore në rajon. Trump e ka lidhur publikisht marrëveshjen me Arabinë Saudite me normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin dhe zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, ndonëse Riadi nuk e ka konfirmuar apo pranuar një lidhje të tillë.

I pyetur të hënën për shitjen e mundshme të avionëve Turqisë dhe kundërshtimin e Netanyahut ndaj një marrëveshjeje të tillë, Trump u përgjigj se “askush” nuk vendos për këto shitje përveç tij, duke e quajtur Turqinë një “aleat të jashtëzakonshëm”.

Para nisjes të hënën, Netanyahu tha se planifikon të diskutojë “të gjitha çështjet në rendin e ditës, para së gjithash Iranin. Natyrisht, synimi ynë është të mbrojmë sigurinë tonë dhe njëkohësisht të zgjerojmë rrethin e paqes rreth nesh”.

Burimi izraelit tha se Netanyahu do të kërkojë garanci që çdo shitje armësh Turqisë ose bashkëpunim bërthamor me Arabinë Saudite nuk do të dëmtojë epërsinë ushtarake të Izraelit, si edhe përparim drejt një pakti të ri afatgjatë të mbrojtjes SHBA-Izrael, që do të zëvendësojë memorandumin e epokës Obama, i cili pritet të skadojë.

“Netanyahu dëshiron të kalojë nga lufta te çështje të tjera – si një marrëveshje sigurie, ndoshta normalizimi me Arabinë Saudite – dhe të sigurohet që është i koordinuar me Trumpin për çështje që mund t’i përdorë në zgjedhje”, tha burimi. Sipas tij, Netanyahu beson se angazhimi i drejtpërdrejtë me Trumpin mund të anashkalojë mosmarrëveshjet brenda administratës, i tha burimi CNN.

Netanyahu i ka minimizuar fërkimet, duke i quajtur ato mosmarrëveshje “taktike” dhe duke këmbëngulur se marrëdhënia mbetet po aq e ngushtë sa gjithmonë. Megjithatë, një zyrtar izraelit tha se u desh kohë për të caktuar takimin me Trumpin dhe se fillimisht “ai u bllokua”, edhe pse nuk ishte e qartë nga kush. Takimi u konfirmua vetëm pasi Netanyahu njoftoi se do të merrte pjesë në funeralin e Grahamit.

Rëndësia e këtij takimi për Netanyahun është më e madhe se kurrë. Sipas sondazheve më të fundit, ai mbetet shumë larg shumicës së nevojshme për të siguruar një mandat tjetër në zgjedhjet e tetorit. Trump ka qenë prej kohësh një nga asetet më të vlefshme të fushatës së tij dhe demonstrimi i ndikimit të vazhdueshëm në Uashington ka rëndësi për Netanyahun, i cili ende shpreson ta presë Trumpin në Izrael për një vizitë para zgjedhjeve.

Vlen të theksohet se aktualisht nuk është planifikuar një dalje publike për fotografi nga takimi. Megjithatë, edhe takimi i tyre në shkurt u mbajt larg kamerave për shkak të planifikimeve të ndjeshme ushtarake para luftës. Diskrecioni këtë herë mund të fshehë fushatën e radhës kundër Iranit… ose tensionet rreth armëpushimit të ardhshëm.

Share This