Zidane zyrtarisht trajner i Francës: Kjo është sfida ime e radhës

Zidane zyrtarisht trajner i Francës: Kjo është sfida ime e radhës

Zinedine Zidane është prezantuar zyrtarisht si trajner i Kombëtares së Francës, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij pas një periudhe të gjatë larg bankinës.

Legjenda franceze ka pranuar se jo gjithçka është bërë në mënyrën e duhur në të kaluarën dhe ka bërë të ditur se në këtë detyrë do të sjellë ndryshime në mënyrën e punës.

Zidane ka zbuluar se një pjesë e madhe e stafit të tij teknik do të jetë e njëjtë me atë që kishte gjatë periudhës së suksesshme te Real Madridi.

“Stafi im i afërt teknik tashmë është vendosur. Praktikisht është i njëjti që kisha te Real Madridi, me ndoshta dy ose tri shtesa. Jam shumë besnik ndaj njerëzve me të cilët punoj dhe edhe ata janë të tillë ndaj meje”, ka thënë Zidane.

Sa i përket mënyrës së drejtimit të Francës, ish-trajneri i Real Madridit theksoi se do të ndjekë një filozofi të ngjashme me atë që e ndihmoi të triumfonte në Spanjë.

“Do të jetë e ngjashme me atë që bëra te Real Madridi. Kombëtarja franceze është hapi tjetër për mua”, u shpreh ai.

Ish-futbollisti i Francës ka zbuluar edhe dëshirën e tij të madhe pas largimit nga Real Madridi, duke thënë se kishte vetëm një objektiv.

“Në katër apo pesë vitet e fundit kam marrë shumë oferta, por që nga momenti kur u largova nga Real Madridi kam dashur vetëm një gjë: të jem trajner i Francës”, përfundoi Zidane.

Tashmë, Zidane do të ketë përpara një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij, drejtimin e një prej kombëtareve më të talentuara në botë.

Share This