
Abdixhiku: E ardhmja e Kosovës është digjitale, planifikojmë Ministrinë e Digjitalizimit dhe trajnimin e 40 mijë të rinjve
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka folur sot në DeepSpace në Prishtinë për rolin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në zhvillimin e Kosovës, duke theksuar se digjitalizimi është çelësi për zhvillim ekonomik dhe funksionim modern të shtetit.
Abdixhiku ka deklaruar se Kosova ka potencial të madh për të bërë një kapërcim të shpejtë zhvillimor përmes teknologjisë, pavarësisht sfidave aktuale.
“Teknologjia është dritarja jonë e kohës. Përmes saj, Kosova mund ta bëjë kapërcimin e madh dhe ta zërë hapin me Evropën, edhe pse na thonë se jemi 80 vite mbrapa. Në botën digjitale koha nuk ecën ngadalë, ajo përshpejton”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka theksuar se një brez i ri dhe i vendosur mund ta ndryshojë rrënjësisht vendin.
“Jemi popull i ri, kemi dije të reja. Kjo është përparësia jonë e madhe”, ka shtuar ai.
Kreu i LDK-së ka bërë të ditur se partia e tij ka një plan konkret për të ardhmen digjitale të Kosovës, i cili përfshin themelimin e Ministrisë së Digjitalizimit dhe trajnimin e 40 mijë të rinjve në fushën e teknologjisë informative dhe komunikimit (ICT).
“Sot ne kemi plan të qartë: Ministrinë e Digjitalizimit dhe trajnimin e 40 mijë të rinjve në ICT. Për vende pune të reja, ekonomi të re dhe një shtet që funksionon në botën digjitale”, ka theksuar Abdixhiku.
Në fund, ai ka përmbyllur mesazhin e tij me një ton optimist, duke deklaruar se e ardhmja e Kosovës është digjitale dhe e bukur.


