
Trump refuzon propozimin e ri të Iranit: Është i papranueshëm
Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë propozimin me 14 pika të Iranit, duke e cilësuar atë “të papranueshëm”.
Trump theksoi se propozimi iranian nuk është i pranueshëm, duke shtuar se e ka analizuar në detaje dhe nuk e konsideron të dobishëm për Shtetet e Bashkuara.
“E kam shqyrtuar propozimin e ri të Iranit dhe e hedh poshtë atë. Iranianët duan të bëjnë një marrëveshje, por unë nuk jam i kënaqur me atë që kanë ofruar. Ka gjëra me të cilat nuk mund të pajtohem”, deklaroi Trump, raporton RTSH.
Nga ana tjetër, Teherani konfirmon se po shqyrton përgjigjen e SHBA-së ndaj propozimit të tij të fundit.
Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei i cili theksoi “në këtë fazë nuk ka negociata bërthamore”, duke nënvizuar se programi bërthamor dhe çështja e uraniumit të pasuruar mbeten pika kyçe në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por do të trajtohen në një moment të mëvonshëm.
Çfarë përfshin propozimi me 14 pika?
Sipas Al Jazeera-s, plani iranian përfshin tre faza kryesore dhe synon zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura si dhe përfundimin e konfliktit brenda 30 ditësh.
Faza e parë fokusohet në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për tregun global të energjisë. Ajo parashikon hapjen graduale të kalimit dhe heqjen e rrethimit amerikan ndaj porteve iraniane, ndërsa Teherani do të merrte përsipër pastrimin e minave detare. Gjithashtu, përfshihet krijimi i një “mekanizmi të ri” për menaxhimin e lundrimit në këtë zonë.
Faza e dytë lidhet me programin bërthamor. Sipas propozimit, Irani do të rikthehet në pasurimin e uraniumit në nivelin 3.6%, bazuar në “parimin e rezervave zero”. Në të njëjtën kohë, Teherani refuzon çmontimin e infrastrukturës bërthamore ose shkatërrimin e objekteve ekzistuese.
Faza e tretë parashikon nisjen e një dialogu strategjik me vendet arabe dhe krijimin e një sistemi të përbashkët sigurie për të gjithë Lindjen e Mesme, duke e lidhur deeskalimin jo vetëm me një armëpushim të përkohshëm, por me një kuadër më të gjerë rajonal.
Në thelb të planit qëndron kërkesa e Iranit për garanci të qarta se nuk do të ketë sulme të reja ndaj tij. Propozimi përfshin një marrëveshje mossulmimi, ku përfshihet edhe Izraeli, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm.
Gjithashtu, plani kërkon që SHBA-të dhe Izraeli të përmbahen nga sulmet ndaj Iranit dhe aleatëve të tij, në këmbim të përmbajtjes së Teheranit nga veprime të ngjashme. Ai parashikon edhe përfundimin e armiqësive në rajon, përfshirë ato në Liban.
Ndër të tjera, Irani kërkon tërheqjen e forcave amerikane nga zonat përreth tij, heqjen e sanksioneve, pagesën e dëmshpërblimeve të luftës dhe lirimin gradual të aseteve të ngrira me vlerë miliarda dollarë.

