Tensionet SHBA-Iran, Trump urdhëron ndalimin e sulmeve, Teherani sinjalizon bisedime

Tensionet SHBA-Iran, Trump urdhëron ndalimin e sulmeve, Teherani sinjalizon bisedime

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të operacioneve ushtarake ajrore kundër Iranit, duke shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon. Sipas raportimeve të medieve amerikane, hapi prapa i Uashingtonit lidhet kryesisht me shqetësimet e Pentagonit për konsumimin e shpejtë të stokut të raketave mbrojtëse Patriot dhe municioneve të tjera mbrojtëse në Lindjen e Mesme.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Teheranit, i cili njoftoi pezullimin e sulmeve të tij hakmarrëse në rajonin e Gjirit Persik, duke shprehur njëkohësisht gatishmëri për t’iu rikthyer tryezës së bisedimeve.

Logjistika ushtarake dhe hezitimi i Shtëpisë së Bardhë

Vendimi i Presidentit Trump erdhi pas takimeve me këshilltarët e tij më të lartë të sigurisë kombëtare, përfshirë Zëvendëspresidentin J.D. Vance. Përfaqësues ushtarakë paralajmëruan se vazhdimi i intensitetit të luftimeve do të çonte në konsumim “të rrezikshëm” të sistemeve të mbrojtjes ajrore të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM).

Lëvizja e Uashingtonit u pasua nga një ulje e menjëhershme e tensioneve ushtarake nga ana e ushtrisë iraniane.

“Gjatë dy netëve të fundit, amerikanët i kanë ndaluar sulmet e tyre. Meqenëse strategjia jonë bazohet në thelb në hakmarrje, ne gjithashtu kemi pezulluar operacionet tona,” deklaroi zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Mohammad Akraminia, gjatë një prononcimi për televizionin shtetëror.

Në të njëjtën kohë, Teherani i ka përcjellë Pakistanit sinjale pozitive për mundësinë e rifillimit të negociatave diplomatike në zona neutrale si Gjeneva, Doha apo Islamabadi.

Presioni i Tel Avivit dhe aftësitë e raketave iraniane

Zhvillimet në Uashington përkojnë me udhëtimin e planifikuar të Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, drejt Shtëpisë së Bardhë. Në një deklaratë për mediat para nisjes, Netanyahu nënvizoi domosdoshmërinë e neutralizimit të programit bërthamor të Teheranit, pavarësisht arritjes së ndonjë marrëveshjeje politike.

“Programi bërthamor i Iranit duhet të përfundojë, me ose pa një marrëveshje,” u shpreh kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu për kanalin Fox News.

Nga ana tjetër, analistët ushtarakë të Wall Street Journal tërheqin vëmendjen te përdorimi i raketave balistike iraniene të tipit Kheibar Shekan. Këto armë me karburant të ngurtë dhe rreze prej 1,450 kilometrash kanë dëshmuar aftësi për të korrigjuar trajektoren në fazën përfundimtare të fluturimit me shpejtësi të lartë, duke shkaktuar sfida serioze për sistemet interceptuese perëndimore.

Zhvillimet kryesore në rajon

Tensionet ushtarake kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë edhe në rrugët kryesore detare dhe në vendet fqinje.

Teherani raportoi avancim në bisedimet me Omani-n për menaxhimin dhe sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Mediat rajonale raportuan se një anije cisternë shpërtheu pasi goditi një minë detare në Ngushticën e Hormuzit, duke dalë nga korridori i miratuar.

Katari njoftoi kthimin e plotë të lundrimit detar pas një bllokimi dyjavor të shkaktuar nga përshkallëzimi i konfliktit.

Milicitë Huthi në Jemen pretenduan rrëzimin e një droni ushtarak të Arabisë Saudite, ndërsa Kuvajti përgënjeshtroi me forcë zërat se kishte lejuar përdorimin e hapësirës së tij ajrore për sulme ndaj Iranit.

Pavarësisht pezullimit të përkohshëm të luftimeve, situata mbetet e brishtë, ndërsa vëmendja e diplomacisë ndërkombëtare është përqendruar te takimi i ardhshëm mes Presidentit Trump dhe Kryeministrit Netanyahu në Uashington. /rtsh/

Share This