
Për të dytën ditë radhazi dalin para gjykatës të akuzuarit për sulmin në Ibër-Lepenc
Për të dytën ditë radhazi, tre të akuzuarit për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, do të dalin para gjykatës.
Seanca gjyqësore do të zhvillohet me fillim nga ora 13:30 në Pallatin e Drejtësisë, transmeton Klankosova.tv.
Në seancën e 9 korrikut, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm dhe refuzuan ta lexojnë aktakuzën.
Ndërsa, prokurori special, Bekim Kodraliu, i cili, përveç deklarimeve të tij, paraqiti edhe prova materiale, përfshirë pamje që sipas Prokurorisë mbështesin aktakuzën.
Prokurori Kodraliu u shpreh i bindur se gjatë procesit gjyqësor do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve, duke theksuar se Prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme, të përfshira në aktakuzë, të cilat, sipas tij, dëshmojnë se sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit ishte akt terrorist me synim dëmtimin e një prej infrastrukturave më kritike në Kosovë dhe cenimin e sigurisë së Republikës.

