
Përshkallëzimi mes Izraelit dhe Iranit rrezikon armëpushimin, Netanyahu thërret mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thirrur një takim urgjent të kabinetit të sigurisë sot, pas përshkallëzimit të tensioneve me Iranin dhe sulmeve të fundit ndaj Libanit.
Sipas Times of Israel, mbledhja do të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe do të përfshijë vetëm një grup të vogël ministrash kryesorë.
Ky takim vjen në një molment kritik, kur rajoni i Lindjes së Mesme po përballet me rrezikun e një konflikti më të gjerë.
Sulmet ajrore izraelite ndaj pozicioneve të Hezbollahut në Liban dhe sulmet e vazhdueshme iraniane me raketa kanë vënë në pikëpyetje marrëveshjen e fundit për zgjatjen e armëpushimit në Liban, duke e bërë situatën edhe më të paqëndrueshme.
Netanyahu pritet të diskutojë me kabinetin e tij opsionet e mundshme për reagim, ndërsa ushtria izraelite është vendosur në gjendje gatishmërie të plotë.
Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar se do të vazhdojë kundërpërgjigjet ndaj çdo sulmi izraelit, duke e shtuar frikën për një përshkallëzim të madh rajonal.
SHBA dhe vendet perëndimore po ndjekin nga afër zhvillimet, duke bërë thirrje për përmbajtje dhe rikthim në bisedime diplomatike.
Kriza aktuale ka ngritur shqetësime për pasojat humanitare, pasi sulmet ajrore dhe raketat rrezikojnë jetën e civilëve dhe mund të shkaktojnë zhvendosje masive të popullsisë.
Vendimet që do të merren në këtë takim urgjent të kabinetit të sigurisë pritet të përcaktojnë strategjinë e Izraelit në ditët e ardhshme, ndërsa komuniteti ndërkombëtar paralajmëron se çdo hap i gabuar mund të ndezë një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme. /rtsh/

