Sylvinho: Çdo ndeshje është e rëndësishme, jemi gati për sfidën me Serbinë

Sylvinho: Çdo ndeshje është e rëndësishme, jemi gati për sfidën me Serbinë

Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet nesër (të shtunën) me Serbinë, në një përballje të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

Në konferencën për media para ndeshjes, trajneri Sylvinho u shpreh se skuadra është e përgatitur maksimalisht për përballjen me Serbinë.

“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme.Një muaj më parë ishte ndaj Letonisë, dhe nëse nuk do ta fitonim, asgjë nuk do të kishte kuptim. Tani përballemi me Serbinë dhe jemi gati”, tha tekniku brazilian.

Ai shtoi se skuadra ka punuar fort gjatë gjithë javës në Tiranë, duke kombinuar analizat me video dhe stërvitjet taktike në fushë.

“Dje kemi zhvilluar stërvitje të nivelit të lartë. Të gjithë lojtarët janë gati dhe kanë reaguar shumë mirë ndaj kërkesave tona”, theksoi Sylvinho.

Në lidhje me mungesën e golave në disa ndeshje të fundit, përzgjedhësi i Shqipërisë tha se nuk është i shqetësuar.

“Nuk më shqetëson mungesa e golit, sepse ai është rezultati i fundit i gjithë procesit të lojës. Kam besim të plotë te të gjithë lojtarët dhe te mënyra si kemi punuar për të ndërtuar aksionet drejt portës”, u shpreh ai.

Kuqezinjtë do të zbresin në fushë të shtunën mbrëma përballë Serbisë, në një ndeshje që pritet të jetë e fortë dhe e rëndësishme për të dy skuadrat në garën për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Share This