
Supremja shfuqizon udhëzimin për arkat fiskale, Murati: Vendim absurd
Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për arkat fiskale digjitale, duke e ndalur përkohësisht procesin e digjitalizimit të fiskalizimit në vend. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e cilësuar vendimin si një goditje ndaj përpjekjeve për modernizimin e administratës tatimore.
“Monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë Ministër i Financave, parashihej të merrte fund me Udhëzimin e Ri Administrativ, i cili hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, siç tashmë e kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon. Mirëpo sot Gjykata Supreme, me gjykatës Delushe Halimi, Lumni Sallauka, dhe Franciska Zhitija-Ymeri, paska vendosur që Udhëzimi Administrativ për arka fiskale digjitale të shfuqizohet,” ka deklaruar Murati, raporton rtk.
Ai shton se vendimi i Supremes do të ketë pasoja direkte për bizneset, të cilat do të detyrohen të vazhdojnë me sistemin e vjetruar dhe me kosto të lartë.
“Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale,” ka thënë Murati.
Sipas tij, kostoja që u shkaktohet bizneseve nga ky vendim kap vlerën mbi 5 milionë euro në vit.


